Komandant 'Luani' intervistohet nga Gjykata Speciale

Komandanti i Batalionit të II-të të Brigadës 121 Kumanova, Ramiz Qeriqi i njohur me nofkën e luftës si Komandant Luani, është intervistuar sot nga Gjykata Speciale.

Qeriqi ishte ftuar nga Gjykata Speciale këtë muaj në cilësinë e të dyshuarit.

Atij, këtë muaj i është bërë ftesë nga Gjykata Speciale dhe i është kërkuar të dorëzoj të gjitha dokumentet që posedon nga koha kur ka shërbyer si komandant.

Ai ka thënë se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe kundër okupimit dhe se këtë do ta dëshmojë edhe në Tribunalin special.

“Ky procesi të cilin vet Qeveria jonë e ka nënshkruar për dyshimet që dyshojnë që ka qenë një luftë e parregullt, unë mendoj që nuk është keq. Për UÇK-në është mirë se ne do të shkojmë ti zbardhin disa çështje që ata dyshojnë se UÇK-ja qenë një luftë jo e drejt. Sidomos për mua personalisht jam shumë i nderuar  që shkoj sot dhe dëshmoj për luftën sepse duke thënë të vërteten do ta mbroj luftën që ka bërë UÇK-ja”, ka thënë Qeriqi.

Qeriqi tha se në mungesë të pasaportës  intervistimi i tij është bërë në Prishtinë.

“Arsyeja është që s’kam pasë pasaportë. Unë jam në atë listën ku kam problem me Serbinë, në atë listën e Interpolit, atëherë më thanë këta që po vijnë këtu, vetëm shkaku i pasaportës, asgjë tjetër. Përndryshe kam qenë i thirrur në Hagë”, tha ai.

Ai ka thënë se janë serbët  të cilët kanë marrë pjesë në luftë që duhet të gjykohen, sepse janë ata më të vërtetë kanë kryer krime dhe gjenocid në Kosovë.

“Unë mendoj se nëse një shqiptar dyshohet, duhet të dyshohen të gjithë që kanë qenë mbi 18 vjet,  serbët duhet të dyshohen sepse ata kanë bërë krime e jo ne”, tha Qeriqi.

Komandant ‘Luani”,  ka pohuar se ka qenë ndër komandantët e rrallë në front. Ai tha se nuk pendohet për atë që ka bërë në mbrojte të vendit, dhe se nëse sërish do të kishte luftë në Kosovë, ai do të ishte i gatshëm që përsëri të vihej në mbrojtje të lirisë.

Ramiz Qeriqi  i cili  kohë më parë ka  dëshmuar edhe në Gjykatën e Hagës, ka thënë se sikur atëherë edhe në Gjykatën Speciale do ta thotë të vërtetën përmes të cilës bota do ta marrë vesh se lufta e UÇK-së ishte e drejt.