FOTO-BIRN

Kandidatët për presidentë të Kroacisë në luftë për mantelin e Tugjmanit

Derisa gara për president po nxehet në Kroaci, të gjithë kandidatët janë duke luftuar në pretendimin se vetëm ata janë trashëgimtari i vërtetë i themeluesit të shtetit, Franjo Tugjman, i cili vdiq 20 vjet më parë.

Të tre kandidatët potencial në garën për zgjedhjet presidenciale në dhjetor nuk janë përballur ende me njëri-tjetrin, për shembull në debate televizive-por janë duke bërë betejë përmes rrjeteve sociale se cili është i duhuri për trashëgiminë e ish- Presidentit Tugjman.

Presidentja në detyrë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, që përkrahet nga partia  e vjetër e qendrës së djathtë, Unioni Demokratik i Kroacisë, HDZ-dhe këngëtari popullor Miroslav Skoro, një kandidat i pavarur i përkrahur nga shumë parti të krahut të djathtë dhe personalitete tjera-të dy deklarojnë se ata janë pasardhësit e vërtetë të presidentit të parë të Kroacisë së pavarur.

Analisti politik Zarko Puhovski tha se ata po përpiqen të legjitimojnë veten duke nxjerrë kujtimin e Tugjman, sepse që nga vdekja e tij ai ishte transformuar “Nga një personazh historik në një mit” si rezultat i rolit të tij formues në krijimin e shtetit modern të Kroacisë.

Ai madje tha se edhe shumë prej atyre që në vitin 1990 e kundërshtonin fuqishëm tani ndihen të obliguar ta vlerësojnë atë. “Për shumicën e krahut të djathtë, por edhe disa nga ana tjetër, Tugjman do të thotë madhëri,” tha Puhovski për BIRN.

Të dielen, në një tubim të madh në Zagreb, Skoro deklaroi se ai do jetë presidenti i ardhshëm i Kroacisë dhe do të vazhdojë politikën e Tugjman-it, duke shtuar se “HDZ-ja e sotme nuk ka të bëjë asgjë me atë të Presidentit të parë të Kroacisë.”

Këto deklarata e frustruan presidenten në detyrë dhe disa anëtarë të HDZ-së, që thanë se vetëm ata janë trashëgimtarë të Tugjmani-it.

“HDZ e sotshme është në rrugën e përshkruar nga Tugjman,” tha Grabar-Kitaroviq të martën teksa vizitoi vendlindjen e tij Veliko Trgovisce.

Edhe kandidati social demokratik, ish- kryeministri Zoran Milanoviq, ka shfaqur respekt për Tugjman-in në fushatën e tij.

“Ai ishte i gatshëm të burgosej për Kroacinë, ai shpesh nuk ka pasur të drejtë, por në gjërat e rëndësishme për atë kohë, ai kishte të drejtë-dhe shumë qytetarë të Koracisë e vlerësojnë këtë,” Milanoviq tha për televizionin N1 të martën.

Puhovski kujtoi se Milanoviq dhe qeveria e tij e qendrës së majtë kishin shtyrë në riemërimin e aeroportit të ri në Zagreb pas Tugjman.

“Me sa duket Tugjman është më i famshëm sot sesa më parë,” tha ai. Kur Tugjman “nuk ishte i dëshiruar nga të gjithë, ai kishte simpatinë e shumicës së njerëzve në Kroaci gjatë jetës së tij,” shtoi ai.

Tugjman ishte president i Koracisë nga viti 1990 deri 1999, ai udhëhoqi vendin në pavarësi nga Jugosllavia dhe gjatë një lufte të përgjakur dhe tej zgjatur kundër Ushtrisë Jugosllave Serbe, JNA, dhe rebelëve serb të Kroacisë, nga 1991-1995.

I admiruar nga nacionalistët për arritjen e pavarësisë, ai ishte kritikuar për rolin e Kroacisë në luftën e vendit fqinjë Bosnje dhe Hercegovinë, për korrupsionin masiv në procesin e privatizimit në vitin 1990, si dhe për sulmin ndaj kundërshtarëve politikë, të drejtat e njeriut dhe lirisë së shtypit.

Puhovski tha se në një farë mënyre Milanoviq është më i ngjashmi me Tugjmanin nga te tre kandidatet, duke e përshkruar si “autoritar”, “grindavec” dhe si “njeri që pranon demokracinë dhe mendimin ndryshe vetëm kur duhet”.

Deklaratat e tij të fundit për Tugjmanin rrezikuan përsëritjen e gabimeve që i kushtuan në zgjedhjet parlamentare të vitit 2015. “ai përpiqet të kthehet te e djathta për të marrë disa vota nga qendra, që rezulton të humbasë nga të dyja,” parashikoi Puhovski.

Zgjedhjet pritet të mbahen më 22 dhjetor. Sipas një analize nga agjencia IPSOS, Grabar Kitaroviq qëndron me 27.4 % të votave, Milanovic 24% dhe Skoro 23%, duke sugjeruar se gara do të jetë e ngushtë.