Jabllanoviq: Kurtit ia jap 1 apartament dhe 500 mijë euro, por le të më tregojë ku janë ato

Kryetari i Partisë së serbëve të Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, në një bisedë me KALLXO.com ka thënë se deklarata e Kryeministrit Kurti se ai për tërheqje nga zgjedhjet e prillit përfitoi 1 milion euro e dy banesa në Beodrag, nuk është e vërtetë.

Para pak minutash i njëjti ka reaguar në rrjetin social Tëitter e ku ka përmendur faktin se për këtë cështje sot do të duhej të intervistohej së bashku me Kurtin nga prokuroria.

“Ne një sistem serioz demokratik sot në prokurori do të intervistohesha unë ose z.Albin Kurti.  Meqë jemi larg demokracisë, kryeministrit po i jap 1 apartament dhe 500.000€, po i kërkoj vetëm të më tregojë ku është apartamenti tjetër dhe pjesa tjetër e parave” – ka shkruar Jabllanoviq.

 

“Çfarë mund t’ju them… Kjo është interesante për mua. Por fatkeqësisht nuk është e vërtetë”- tha gjatw ditws Jabllanoviq për KALLXO.com.

Ai shtoi se më vonë do të bëj edhe një reagim më të gjatë në lidhje me këtë cështje por shkurtimisht për KALLXO.com mohoi se ka përfituar ashtu siç tha Kurti.

Kryeministri Albin Kurti ka bërë një adresim për qytetarët serbë në Kosovë gjatë së mërkurës duke shpërndarë një informacion për të cilin po ashtu tha se mund të mos jetë i vërtetë.

Kryeministri Kurti tha që ka dëgjuar se Aleksandar Jabllanoviq ka marrë 1 milion euro dhe 2 banesa në Beograd për t’u dorëhequr nga gara për kryetar të Leposaviqit.

“Mendova se të paktën Aleksandar Jabllanoviq do të fitonte në Leposaviq, por ai doli nga gara më 21 prill, dy ditë para fitores së sigurt” – thotë kreu i Qeverisë së Kosovës.

“Kam dëgjuar se ka marrë një milion euro dhe dy apartamente në Beograd. Mund të mos jetë e vërtetë, por gjithsesi duhet të jetë shumë presion apo ofertë shumë luksoze, gjë që e bëri Jabllanoviqin të thotë se nuk do të gjuajë menjëherë penalltinë” – ka thënë Kurti përmes një adresimi për serbët lokal në vend.

Tutje, Kurti tha se nuk ka fuqinë por as vullnet që t’i detyroj serbët të dalin në zgjedhjet e reja.

“Përfaqësuesit e Listës Serbe, duke përfshirë edhe Jabllanoviqin, kanë thënë gjithfarë gjërash për Kosovën dhe për mua, por unë kam mbetur i gatshëm t’i pranoj si kryetarë komunash të ardhshëm. Fatkeqësisht, nuk kam as fuqi e as vullnet t’i detyroj të dalin në zgjedhje. Tashmë kryetar i komunës është Lulzim Hetemi, derisa të zgjidhet një i ri. Për këtë kemi nevojë për zgjedhje të parakohshme dhe një fushatë të hapur, të lirë, parazgjedhore në 4 komuna në veri” – tha Albin Kurti.

Situata në katër komunat e veriut u tensionua që nga 26 maji, kur kryetarët e zgjedhur më 23 prill vendosën të shkojnë në zyrat e tyre të punës, në objektet komunale.

Që nga ajo kohë, serbët lokal kanë kundërshtuar vendosjen e kryetarëve në zyre ndërsa disa incidente u regjistruan në katër komunat e veriut të vendit.

Kurti: Kam dëgjuar se Jabllanoviq ka marrë një milion euro dhe dy apartamente në Beograd