Ish-zyrtari i CIA-s dënohet me 40 vjet burg për rrjedhje informacioni në Wikileaks

Joshua Schulte, ish zyrtar i CIA-s u dënua për akuza të shumta: spiunazh, hakerim kompjuterik, përbuzje të gjykatës, dhënie të deklaratave të rreme në FBI dhe posedim të imazheve të abuzimit seksual të fëmijëve.

“Joshua Schulte e tradhtoi vendin e tij duke kryer disa nga krimet më të urryera të spiunazhit në historinë amerikane” – tha prokurori i përgjithshëm.

Schulte, ndërkohë, i ka mohuar të gjitha akuzat.

Prokurorët e akuzuan atë për zbulimin e mjeteve të CIA-s “Vault 7”, të cilat lejojnë zyrtarët e inteligjencës t’i hakojnë telefonat inteligjentë dhe t’i përdorin ato si pajisje dëgjimi.

Sipas Departamentit  Amerikan të  Drejtësisë, Schulte, 35-vjeçar, i dha Wikileaks rreth 8,761 dokumente në vitin 2017, shkelja më e madhe e të dhënave në historinë e CIA-s.

Sipas CNN, Schulte ishte i punësuar si programues në Qendrën për Inteligjencën Kibernetike, e cila spiunon organizatat terroriste dhe qeveritë e huaja.

Prokurorët thanë në gjyq se në vitin 2016 ai vodhi informacionin dhe ia dha Wikileaks-it, më pas gënjeu agjentët e FBI-së për rolin e tij.

Schulte ndodhet në burg që nga viti 2018./Index.hr

Përgatiti: Nuhi Shala