Ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit e pronarë të kompanive të arrestuar sot në rastin “Brezovica”

Gjatë orëve të hershme të mëngjesit të sotëm, ka vazhduar për të tretën herë aksioni kundër të dyshuarve nën dyshimin për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar ‘Sharri’, në zonën e Brezovicës.

Zëvendësministri i Drejtësisë Blerim Sallahu ka thënë sot se tre nga të arrestuarit janë tre ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ndërsa katër të tjerë janë pronarë të kompanive ndërtimore.

“Janë kryer dhjetëra bastisje në disa qytete të vendit tonë lidhur me rastin dhe provat për të dyshuarit”, ka shkruar Sallahu në një postim në Facebook.

“Vazhdimi i hetimeve për aferën “Brezovica” ka çuar sot në arrestimin e edhe të 7 personave të tjerë, 3 nga të cilët ish-zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe 4 pronarë të kompanive ndërtimore”, ka shkruar zëvendësministri Sallahu.

KALLXO.com raportoi në lidhje me aksionin e sotëm të Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Ndër të arrestuarit siç raportoi KALLXO.com është edhe Ilir Morina, ish- Kryeshef i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit.

Aksioni ‘Brezovica’, arrestohet Ilir Morina, ish kryeshef i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit