Ish-shoferi i KPK-së dyshohet se me veturë zyrtare dërgoi në Shqipëri të dyshuarin për tentimvrasje

Skandali në të cilin dyshohet se u përfshinë drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, asistentja e tij Marigona Berisha dhe ish-shoferi i Krasniqit po merr përmasa të reja.

KALLXO.com mëson se shoferi i Krasniqit është arrestuar nën dyshimin se ka dhënë ndihmë kryerësve të veprës penale.

Sipas burimeve të KALLXO.com, shoferi dyshohet se me veturë zyrtare e ka kaluar për në Shqipëri të paktën një person të dyshuar për veprën penale të tentim vrasjes.

Shoferi aktualisht është i ndaluar nga Policia e Kosovës dhe pritet në orët në vijim të dihet nëse do të kërkohet ndonjëra nga masat e sigurisë.

KALLXO.com ka provuar që të flasë lidhur me këtë çështje edhe kryesuesin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm deri në momentin e publikimit të artikullit.

KALLXO.com  raportoi sot se gjatë ditës së djeshme është arrestuar edhe shoferi i Krasniqit i cili është arrestuar nën dyshimin për dhënie të ndihmës kryerësve të veprës penale.

Drejtori i Sekretariatit të KPK-së Lavdim Krasniqi dhe asistentja e tij Marigona Berisha u arrestuan më 1 mars ndërsa ndaj tyre u caktuan edhe masat e sigurisë. Ndaj Krasniqit u caktua masa e paraburgimit ndërsa masa e arrestit shtëpiak u caktua ndaj Marigona Berishës.

Krasniqi po dyshohet për keqpërdorim i detyrës zyrtare, ushtrim i ndikimit, dhënie e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale ndërsa Marigona Berisha për mos lajmërim të veprës penale.

Këshilli Prokurorial ka marrë vendim për suspendimin e Krasniqit dhe Berishës deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga Gjykata.