
Ndalim 48-orësh në Polici për Lavdim Krasniqin, drejtor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës
Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, është ndaluar në Polici.
Vendimi për ndalimin e tij është dhënë nga Prokuroria e Prishtinë pasi ai dhe një zyrtare tjetër e këtij institucioni po dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Krasniqi dhe zyrtarja e KPK-së do të mbahen për 48 të ndaluar në stacionin policor deri në marrjen e ndonjë vendimi tjetër.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi të lëshuar nga Prokuroria e Prishtinës.
“Prokuroria Themelore e Prishtinës njofton opinionin publik se me urdhër të saj është shoqëruar për intrevistim Drejtori i Përgjithshëm dhe një zyrtare e Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Të lartcekurit janë shoqëruar në Polici për tu intervistuar lidhur për veprimet që dyshohet se ata i kanë kryer. Me aktvendim të prokurorit të shtetit të lartcekurit janë ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
KALLXO.com gjatë ditës në mënyrë ekskluzive ka raportuar për intervisimin e tij në Polici.
Në një përgjigje për KALLXO.com, Zyra për Informim e Policisë së Kosovës ka thënë se shoqërimin e dy zyrtarëve të KPK-së e ka bërë Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka shoqëruar për intervistim dy persona. Të njëjtit janë shoqëruar në polici për intervistim mbi dyshimin e bazuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ka thënë për KALLXO.com Zyra e informimit të Policisë së Kosovës.