Investimi 12 milionësh pritet ta transformojë stadiumin ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë

Stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë pritët të marrë pamje tjetër nga brenda e jashtë.

Kështu ka njoftuar Komuna e Mitrovicës që udhëhiqet nga Agim Bahtiri.

Sipas njoftimit, investimi për renovimin e “Adem Jasharit” kap vlerën e 12 milionë eurove. Ky investim pritët që stadiumi i Mitrovicës të kalojë nga kategoria 2 në 4, sipas rregullores së UEFA dhe FIDIC.

Investimin pritet ta bëjë Ministria e Sportit ndërsa shpronësimet rreth stadiumit Komuna e Mitrovicës.

“Hartuesit e projektit kanë prezantuar projektin madhor për renovimin e stadiumit “Adem Jashari”, i cili do të kushtojë mbi 12 milionë euro. Projekti parasheh renovimin e tërësishëm të stadiumit, të ketë parking publik, parkingun për VIP, parkingun për media, park rekreativ, fushat tjera ndihmëse si dhe hapësirën për tifozët musafir”, thuhet në njoftimin e Komunës së Mitrovicës.

E pasi të kryhen të gjitha investimet në renovim në këtë stadium pritët që Kombëtarja e Kosovës në futboll t’i zhvilloj ndeshjet ndëkombëtare në të.

Projekti sot është prezantuar në qytetin e minatorëve ndërsa nikoqiri, Agim Bahtiri priti në takim Iber Alaj nga departamenti i sportit në kuadër të MKRS-së.