Instituti Hidrometeorologjik paralajmëron vërshime

Në ditët në vazhdim mund të ketë reshje të shiut të cilat mund të sjellin edhe vërshime.

Kështu ka njoftuar Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës nëpërmjet një njoftimi për Agjencionin për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.

“05.11.2019- Sektori i Hidrologjisë i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës ka njoftuar për mundësinë e vërshimeve për shkak të reshurave të mëdha që do përfshijnë vendin në ditët në vijim”, thuhet në njoftim.

Sipas IHK-së, reshjet e shiut me intenzitet të lartë mund të jenë në vende malore por edhe në qytete.

“Duke filluar nga dita e sotme 06/11/2019, fillimisht në pjesën perëndimore të Kosovës (zona e Alpeve Shqiptare kanë vazhduar reshje të shiut me intensitet të ulët deri mesatarë, të cilat gjatë ditës do të përfshinë edhe pjesën veriore dhe veriperëndimore të vendit. Ndërsa duke filluar nga data 07/11/2019, reshjet e shiut do të përfshinë pjesën më të madhe të Kosovës, me intensitet më të lartë në Dukagjin”, thuhet tutje në njoftim.

“Mund të paraqiten vërshime të shpejta nga disa lumenj/rrëke, kryesisht me karakter malorë. Ndërsa përmbytje fushore nga lumenjtë mund të ketë në disa segmente të tyre, gjatë orëve dhe ditëve ne vijim”, njofton IHK.

Ky institut ka njoftuar edhe për rreziqet nga vërshimet dhe sipas njoftimit, reshjet e shiut pritet të ndalën pas dy ditësh.

“Kjo situatë mund të paraqes vështirësi në qarkullimin rrugor, me mundësi rrëshqitjeje të dheut si dhe vërshime urbane në disa zona. Reshjet e shiut pritet qe të ndërpriten gjatë orëve të pas ditës të datës 08/11/2019”, thuhet në fund të njoftimit.