Ilustrim

'Ia ngrehi veshin nxënësit pse bëri zhurmë' – Përgjigja e mësuesit: Ia ngreha veshin pak, jo shumë

Një mësimdhënës i biologjisë në shkollën fillore “Abdyl Frashëri” në Druar të Vushtrrisë po dyshohet se ia ka tërhequr veshin një nxënësi të klasës së shtatë. Në lidhje me rastin janë duke u marrë edhe Policia e Kosovës.

Xhaxhi i fëmijës që dyshohet se është rrahur nga mësuesi, Basri Ademi në një bisedë për KALLXO.com po pretendon se mësuesi ia ka “ngreh veshin” nipit të tij.

“Dje arsimtari ka hyrë në klasë, para se me hy në klasë, dikush i ka rënë bankës, nja dy nxënës të tjerë ia kanë lënë fajin djalit. Kur (arsimtari) ka hy, ka pyet kush ka kërsitë? Ata i kanë thonë që djali” – shpjegon Ademi i cili thotë se më pas mësimdhënësi ia ka tërhequr djalit veshin.

“Edhe u shku direkt ia ka kap veshin. Ia ka ngrehë aq shumë sa që ka pas rrjedhje edhe ënjtje në vesh. Ka dalë djali nga klasa, ka qëndruar nëpër oborr të shkollës, nuk shkon kurrfarë as drejtor, as kujdestar, nuk është marrë kurrkush me të” – është shprehur xhaxhai i djalit i cili ka thënë se më pas djali ka telefonuar për të treguar se çfarë ka ndodhur dhe se kur xhaxhai është informuar për këtë gjë ai ka shkuar ta marrë djalin në shkollë.

“Unë kam shku në shkollë, kur kam shku djali kish qenë në oborr të shkollës, bashkë me të kish qenë edhe kujdestari se ata kur ka thirrë djali e kanë marrë vesh ata se çka u bo” – thotë për KALLXO.com, xhaxhai i nxënësit të klasës së shtatë.

Sipas tij, arsimtari kujdestar i nipit të tij kishte kërkuar që “të mos e bëjnë të madhe këtë punë”.

“Kur e pashë djalin që e ka veshin e ënjtur, duke i rrjedhur gjak, e kam dërguar në emergjencë, pastaj e lajmëruam rastin në Polici” – tregon xhaxhi i tij për KALLXO.com.

Ai tutje ka njoftuar se nipin e tij e ka dërguar edhe në psikiatri, duke thënë se “Nuk po mundet me flejt djali, po tutet….Jam shumë i dëshpëruar edhe me drejtoreshën edhe me kujdestarin…” – ka thënë Ademi.

“Drejtoresha më thoshte ‘Pse nuk po vjen në shkollë me bisedu e me ia falë se nuk është bërë nami’. Unë i thash ‘drejtoreshë, jam duke e dërguar djalin për ta trajtuar tek mjekët prej ditës së djeshme’.  Do farë fjalësh shumë palidhje më janë dukur” – thotë ai.

Raportimin e rastit në polici e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë për rajonin e Mitrovicës i cili ka thënë se rasti është cilësuar si lëndim i lehtë trupor.

“Rasti është raportuar në polici dhe sipas prokurorit është cilësuar si lëndim i lehtë trupor edhe lënda shkon në procedurë të rregullt. Pra është intervistuar pala ankuese dhe i dyshuari. Tash çështja procedohet në Gjykatë” – tha Zahiti për KALLXO.com.

Drejtoresha e shkollës “Abdyl Frashëri”, Besarta Krasniqi Hajra tha për KALLXO.com se fëmija e ka pasur veshin e grithur paraprakisht, derisa shton se është keq ajo cfarë ka ndodhur.

“Jo, djali veçse paraprakisht e ka pasur veshin të grithur, gjë që e dëshmojnë të gjithë sa kanë pasur rast, edhe shokët e klasës edhe mësimdhënësit tjerë që i kanë dhënë mësim. Mirëpo, çka ka ndodhur është diçka që shumë keq që ka arritur deri në këtë pikë” – tha drejtoresha Krasniqi Hajra për KALLXO.com.

Drejtoresha ka tentuar që ta arysyetoj veprimin e mësuesit, duke thënë se ai ka qenë i mllefosur qysh mund të jetë secili person.

“Ka ardhur si pasojë e një zënke, një problemi në klasë, u mundu m’i qetësu në atë formë, mirëpo pak ka qenë edhe i mllefosur si secilit që mundet me na ndodhë ndonjëherë në jetë. Është diçka që nuk e ka bërë me dashje, mirëpo nganjëherë për me e qetësu një situatë tjetër duhet edhe ne me marrë diçka masa tjera, është shumë në pozitë të keqe. Ne kemi dalë, jemi ndjerë shumë keq mirëpo nuk ka qenë ajo që veç faktikisht është raportuar dhe është bërë kaq e madhe” – thotë drejtoresha për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me mësimdhënësin e biologjisë, Shyqiri Rrustemin që po dyshohet se ia ka tërhequr veshin nxënësit.

“Dje para se me shku në orë, ndodh njëfarë incidenti, rastësi, unë duke shkuar me ditar në klasë prej zyrës, nxënësit kishin pas rrëfllu shumë banka me fletore apo me shuplaka, nuk e di shumë. U kriju një farë zhurme e madhe në korridor, mandej disi ma vrau veshin ajo farë zhurme dhe hyra i pyeta ‘Kush po kërset kështu, pse po kërsitni?’ Një vajzë mu drejtua më tha që këta dy po kërsasin në bankë. Ia kapa veshin veç pak, jo aq shumë dhe e qortova” – është shprehur Rrustemi për KALLXO.com.

“Po duket ai qysh po tregojnë edhe nxënësit e kish pasur të lënduar atë vesh edhe më herët, e ka grithur diku edhe i doli një njollë e vogël e gjakut. Tani ai doli prej klase nxënësi e ka thirr tani prindin apo mixhën, e kanë lajmëruar rastin në polici, unë më pas isha dhe e dhashë deklaratën” – thotë ai.

Mësimdhënësi ka thënë se ndihet keq dhe se është penduar për këtë rast.

“Po keq boll valla, mezi e kam mbajtur mësimin atë ditë. Ne po prekemi kur po kemi kësi raste të tilla, por ajo ndodh si incident…Unë jam penduar boll por tash ajo nuk kthehet më”.

Madje ai e ka pranuar se kanë provuar që këtë rast ta trajtojnë edhe përmes metodave jo-institucionale, duke tentuar ta takojnë familjen e nxënësit.

“Sot tërë ditën kemi bërë kërkesë me drejtoreshë, më këshill të arsimtareve, me një ish-drejtor e sende por nuk po na përgjigjen” – tha mësuesi për KALLXO.com.