Ilustrim

I gjenden në veturë 30 kilogramë drogë, arrestohet 40-vjeçari që po hynte në Kosovë nga Shqipëria

Një 40-vjeçar është arrestuar sot në pikë kalimin kufitar në Vërmicë, pasi dyshohet se po transportonte substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, me peshë rreth 30 kilogramë.

Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja dyshohet se ndodhi përderisa nga Republika e Shqipërisë ka ardhur automjeti me targa të Kosovës, i tipit Fiat Croma, ngjyrë hiri, për të hyrë në Republikën e Kosovës nëpër pikë kalimin kufitar në Vërmicë dhe i cili drejtohej nga personi me inicialet F.M, i lindur në vitin 1981.

Pas kontrollit të automjetit, asistencë relevante për identifikimin e substancës narkotike ka ofruar edhe Policia Kufitare e Republikës së Shqipërisë me ç’rast nën rrotën rezervë në bagazh është detektuar një bunker i dyshuar.

“Autoritete kufitare të PK-së kanë vazhduar me kontroll të mëtutjeshëm ku edhe është hasur në një sasi të substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë rreth 30kg (tridhjetë kilogram)”, është bërë e ditur në një njoftim për media.

Policia ka shtuar se lidhur me rastin janë informuar njësitet relevante të policisë, ato të anti-drogës dhe forenzikës për procedura të mëtejme hetimore.