Nju Jork, SHBA

I dyshuari për sulmin ndaj Rushdie akuzohet për tentim-vrasje

Ndaj të dyshuarit për sulmin ndaj autorit Salman Rushdie është ngritur akuzë për tentim-vrasje dhe tentim-sulm.

Sulmuesi, Hadi Matar, 24-vjeçar nga Nju Xhersi po mbahet në paraburgim pa mundësi të lirimit me kusht, thanë autoritetet amerikane.

Avokati i Matar tha se klienti i tij deklarohet i pafajshëm për akuzat.

Hetuesit po punojnë për të kuptuar planet dhe përgatitjet që i paraprin sulmit dhe për të vendosur nëse duhet të ngrihen edhe akuza të tjera, tha Jason Schmidt, avokat i qarkut Shatakua.

Pas sulmit me thikë, shkrimtari Salman Rushdie, u shtrua në spital dhe është në oksigjen (ventilator), pasi i janë dëmtuar nervat dhe mëlçia.

Andrew Wylie, agjenti i Rushdies, tha në një deklaratë se shkrimtari i është nënshtruar një operacioni pas dëmtimeve që ka pësuar dhe se ka gjasa të humbë njërin sy.

Autori i librit “Vargjet Satanike”, me origjinë indiane, i cili para disa viteve u urdhërua të vritej nga Irani për shkak të shkrimeve të tij, u sulmua me thikë, më 12 gusht, gjatë një seminari në skenën e Institutit Shatakua në shtetin e Nju Jorkut.

Instituti Shatakua në shtetin e Nju Jorkut, vendi ku u sulmua ai, është i njohur për serinë e ligjëratave të verës, ku Rushdie ka folur aty edhe më parë.

I dyshuari hyri në skenë ndërsa Rushdie po prezantohej dhe e sulmoi atë dhe moderatorin Henry Reese, tha policia e shtetit të Nju Jorkut në një deklaratë.

“Rushdie pësoi plagë të dukshme me thikë në qafë dhe u transportua me helikopter në një spital të zonës. Gjendja e tij ende nuk dihet”, thanë më herët nga policia.

Ndërkaq, Reese ka pësuar një dëmtim të lehtë në kokë.

Rushdie, i cili ka lindur në një familje myslimane indiane, është përballur me kërcënime me vdekje për romanin e tij të katërt, “Vargjet Satanike”, për të cilin disa myslimanë thanë se përmbante pasazhe blasfemuese. Romani u ndalua në shumë vende me popullsi të madhe myslimane pas botimit të tij në vitin 1988.

Një vit më vonë, Ayatollah Ruhollah Khomeini, asokohe lideri suprem i Iranit, shpalli një “fetva”, ose dekret fetar, duke u bërë thirrje myslimanëve të vrisnin shkrimtarin për blasfemi.
Irani më vonë u tërhoq nga urdhri dhe Rushdie ka jetuar relativisht i pashqetësuar në vitet e fundit.

Rushdie ishte në Institutin Shatakua për të marrë pjesë në një diskutim rreth shërbimit të Shteteve të Bashkuara si azili për shkrimtarët dhe artistët në mërgim dhe “si një shtëpi për lirinë e shprehjes krijuese”, sipas faqes së internetit të institucionit.

Rushdie ka lindur në Mumbai të Indisë. Ai ka nënshtetësi britanike dhe amerikane dhe jeton në Nju Jork që nga viti 2000, sipas Politico. /REL