Hoxhaj: Autostrada e Anamoravës, prioritet imi

Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se autostrada e “Anamoravës” është prioritet i qeverisë së ardhshme të cilën pretendon ta drejtoj ai.

Këto deklarata Hoxhaj i bëri gjatë një tubimi elektoral në Komunën e Kamenicës ku edhe ka shpalosur planin e Partisë Demokratike të Kosovës për rimëkëmbje.

“Autostradën do ta kemi prioritet të dorës së parë sapo të bëhem kryeministër, që kjo pjesë e Kosovës të lidhet në mënyrë të mirëfilltë me qendrën, por mbi të gjitha të shërbejë edhe Kamenica, edhe Gjilani, edhe Vitia, si zonë që kufizohet edhe me shqiptarët e Maqedonisë, por edhe me shqiptarët e Luginës së Preshevës, si një zonë e përbashkët e zhvillimit”, ka thënë ai.

Kandidati i PDK-së për kryeministër është zotuar se në Qeverinë e udhëhequr nga PDK-ja do të ketë rritje pagash dhe pensionesh për të gjitha kategoritë.

Teksa ka folur për arsimin, Hoxhaj ka rikujtuar problemet që kanë pasur nxënësit në komunën e Kamenicës, ku ka thënë se veprimet që ka ndërmarrë kryetari i kësaj komune në mbylljen e shkollave kanë dëshmuar dështimin e Lëvizjes Vetëvendosje. Në raport me këtë, Hoxhaj është zotuar se do të ketë shkollë kudo që ka nxënës.