Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, Foto: Ambasada Amerikane

Hovenier: Besojmë se draft-statuti për Asociacionin përputhet me Kushtetutën

Draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që u quajt propozim “modern europian” nga emisarët europianë, sipas ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, përputhet me Kushtetutën e Kosovës.

Megjithatë, për ta vërtetuar këtë, ai tha se është Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“(Draft-statuti) Duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e tanishme të Kosovës, me vendimin ekzistues të Gjykatës Kushtetuese, me letrën e Mogherinit, që thotë se nuk ka autoritete ekzekutive, me editorialin dhe qëndrimin që SHBA-ja e shprehu përmes Derek Chollet, këshilltarit të Departamentit të Shtetit dhe Gabriel Escobar, të dërguarit tonë të posaçëm, që parashtruan vizionin tonë për këtë” – tha Hovenier në “Kanal 10”.

Ambasadori amerikan tha se ky draft-statut e lejon Kosovën që të ecë përpara, adreson shqetësimet legjitime të komunitetit etnik serb për të pasur mundësi që të ushtrojnë më mirë të drejtat që kanë sipas Kushtetutës së Kosovë dhe sipas Ahtisaarit.

“Besojmë se është në përputhje të fortë. Për të përcaktuar kushtetutshmërinë e çdo gjëje në Kosovë është Gjykata Kushtetuese e Kosovës” – shtoi Hovenier.

Qeveria e Kosovës ka pranuar planin e ri të pesë emisarëve ndërkombëtarë, i cili iu prezantua kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në takimin e 21 tetorit.