Hoti thotë se po krijohen kushtet për zbatim të pakos së rimëkëmbjes ekonomike

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se sot  në Komisionin për Buxhet dhe Financa, është miratuar dhe përcjell për seancë projektligji për rimëkëmbje ekonomike.

Ai tha se po krijohen kushtet për zbatim të plotë të pakos për rimëkëmbje ekonomike.

Sipas Hotit programi për rimëkëmbje ekonomike financohet nga tre burime:  mjetet nga buxheti i rregullt, marrëveshjet ndërkombëtare dhe ligji për rimëkëmbje ekonomike prej të cilave  dy të parat tanimë janë miratuar.

Hoti ka thënë se janë në rrugë të mbarë për të mobilizuar shumën prej 1.2 miliardë euro për rimëkëmbje ekonomike.

“I falënderoj të gjithë anëtarët e Komisionit për mbështetje. I lus të gjithë deputetët që të mbështesin këtë projektligj në seancë, në mënyrë që të miratohet para se Kuvendi të shkojë në pushim veror” ka shkruar Hoti.

Tutje, Hoti ka thënë se me buxhetin e vitit 2021, do të zhvillohen masa të tjera dhe do të vazhdojnë disa nga masat ekzistuese dhe do të identifikohen instrumente financiare shtesë për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike.