Hoti: Nga 728 milionë euro për shpenzime kapitale, janë shpenzuar vetëm 79 milionë

Ish-kryeministri i Kosovës, tani deputet i LDK-së, Avdullah Hoti ia ka bërë disa matematika buxhetit të shtetit, duke thënë se nga 728 milionë euro të parapara për shpenzime kapitale për vitin 2022, janë shpenzuar vetëm 79 milionë euro në 6 mujorin e parë të këtij viti, që sipas tij është rreth 40% më e vogël se sa në vitin paraprak.

“Problemi kryesor në menaxhimin e financave publike dhe shpenzimeve në këta 6 muaj janë shpenzimet kapitale, nga 728 milionë vetëm 79 milionë janë shpenzuar deri më tash, që është më e vogël për 39%, krahasuar me vitin paraprak kur pjesën më të madhe, në pjesën e parë të vitit në veçanti ka qenë pandemi, edhe vitin 2020 kur kemi qenë krejt të mbyllur janë shpenzuar më shumë në investime kapitale se sa që po shpenzohet tash”, deklaroi Hoti.

“Problem tjetër janë fondet që janë në dispozicion të qeverisë, afër 600 milionë euro nuk ka ndodh asnjëherë kështu, unë besoj që është keqmenaxhim enorm i parasë publike. Dhe një problem tjetër shumë i madh është subvencionimi i ndërmarrjeve publike, nga 1.92 milionë ka shku në 12 milionë,” shtoi ai.

Deputeti Hoti theksoi se në shumë projekte madhore infrastrukturore shpenzimet janë shumë vogla, duke përmendur magjistralen Prishtinë-Pejë, që sipas tij janë shpenzuar 5.4 milionë euro, për rrugën Prishtinë-Mitrovicë, sipas tij janë 15 milionë të shpenzuara.

Hoti kërkoi që qeveria ta sjell në kuvend rishikimin buxhetit në mënyrë që të shihet se në cilat projekte kapitale mund të shpenzohet më shumë.