Foto: REUTERS

Hospitalizohet ish-kryeministri italian Berlusconi

Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi është në spital që nga e marta pasdite për kontrolle, thanë të mërkurën dy burime nga partia e tij “Forza Italia”, raporton Reuters.

Një nga burimet ka thënë se 84-vjeçari shkoi në spitalin “San Raffaele” në Milano për testet pasuese pas kontraktimit me coronavirusin e ri në shtator të vitit të kaluar.

Kjo është hera e dytë në vetëm disa javë që Berlusconi e gjen veten në spital pas një kontrolli tjetër rutinë në fund të marsit.

“Forza Italia” tha në atë kohë që ai ishte pranuar për monitorim klinik dhe rregullim të një terapie të vazhdueshme.

Berlusconi, i cili iu nënshtrua një operacioni të madh në zemër më 2016 dhe gjithashtu i ka mbijetuar kancerit të prostatës, u pranua në spital edhe në janar të këtij viti për shkak të problemeve të zemrës.

Përgatiti: Emirjeta Vllahiu