Homazhi i parë i Kurtit pranë varrit të ish-presidentit Rugova

14 vjet pas vdekjes së tij, Albin Kurti bëri homazhe pranë varrit të ish-presidentit, Ibrahim Rugova.

Ai, për herë të parë si Kryeministër i vendit, së bashku me Kryekuvendaren nga LDK, Vjosa Osmani, për nder të 12 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës bënë homazhe në Velani, tek varri i Rugovës.

Në fjalën e tij para mediave, Kurti ishte i shkurtër ndërsa nuk pranoi as pyetje nga gazetarët.

“Në një ditë si kjo ne vlerësojmë përpjekjet insistuese dhe institucionale, angazhimin politik për liri dhe pavarësi”, tha kryeministri Kurti para gazetarëve.

Sa ishte pjesë e opozitës, Kurti asnjëherë nuk shkoi për homazhe te varri i ish-presidentit Rugova. Kjo shpesh ishte pjesë e debateve.

Në një intervistë para zgjedhjeve të fundit parlamentare, ai kishte dhënë edhe shpjegimet se pse nuk ishte shkuar kurrë te varri i ish-kryetarit të LDK-së.

Kurti e kishte vlerësuar gjest simbolik vizitën për homazhe tek ish-presidenti Ibrahim Rugova.

“Unë nuk kam shkuar tek varri i Rugovës, përveç tjerash, për shkak se, se njerëzit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që më së paku kisha dashur që të ma kërkojnë, insistonin që unë të shkoj. Ai është një gjest simbolik, të cilit unë nuk dua t’ia jap vlerën artificiale, por po them kështu ishte deri më tani”, kishte thënë Kurti për emisionin n’Konak.