Foto: Ilustrim

Grupi i të akuzuarve për fajde në Pejë do të përballet edhe me hetimin për prejardhjen e pasurisë

Pasuri të paluajtshme, para në bankë, vetura luksoze që kishin të akuzuarit për fajde në Pejë nuk përkonin me të hyrat e vogla financiare që grupi kishte pasi që të njëjtit sipas Prokurorisë ishin të papunë.

Kjo e ka shtyrë prokurorin e rastit Ersan Qavolli që të kërkojë hetimin financiar dhe të zbulojë prejardhjen e pasurisë, e cila tashmë është konfiskuar dhe ngrirë.

Një banesë në Prishtinë, një shtëpi në Pejë, dy vetura, 30 hektarë tokë e rreth 51 mijë euro para të gatshme të mbajtura në bankë janë provat të cilat janë konfiskuar nga grupi i dyshuar i fajdeve në rajonin e Dukagjinit.

“Për të gjitha këto është lëshuar edhe urdhri për ndalim afatgjatë, për dy vetura dhe katër telefona është propozuar edhe konfiskimi i përhershëm pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor ndërsa për xhirollogari bankare është kërkuar konfiskimi i përhershëm i 20 mijë eurove si dobi pasurore e fituar në mënyrë të jashtëligjshme dhe në këtë mënyrë të bëhet kompensimi i viktimës. Dy veturat dhe telefonat ato janë propozuar që të bëhet konfiskimi i tyre si mjete me të cilat është ndihmuar kryerja e veprës penale”, ka treguar prokurori Qavolli për veprimet që ka ndërmarrë gjatë kohës sa kishte kryer hetimin për grupin e akuzuar.

Sipas tij, hetimi financiar në këtë rast është i rëndësishëm.

“Unë besoj që mjeti më efikas në luftimin e kriminalitetit është konfiskimi, nëse vetëm dënohet dhe nuk merret pasuria që fitohet me aktivitete kriminale atëherë mendoj se nuk kemi me luftu krimin sa duhet si shoqëri. Konfiskimi i përhershëm është marrja e pasurisë së fituar me vepër penale nga i pandehuri dhe në këtë rast edhe mund të bëhet edhe kompensimi i viktimës por në një farë forme rritet edhe arka e shtetit”, thotë tutje ai.

Qavolli flet edhe për procedurat kur një prokuror mund të kërkojë që të ketë një hetim financiar.

“Në rastet kur dispozitat e kodit janë të pamjaftueshme atëherë në Kosovë ekziston edhe një ligj i veçantë i cili mundëson konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar, do të thotë kur nuk është e rregulluar me dispozitat e Kodit të procedurës penale”, shpjegon ai ligjin e ri.

Sipas Qavollit, dy të akuzuar nuk kanë arritur që të justifikojnë pasurinë e tyre.

“Deri tash në bazë të hetimeve që kemi zhvilluar dy të pandehurit kryesorë nuk kanë arritur që të justifikojnë pasurinë dhe provat që kemi siguruar tregojnë se të hyrat e tyre janë shumë të vogla në krahasim me pasurinë që e kanë. Prandaj në këto rrethana mendoj se do të paraqes edhe kërkesën për verifikim të pasurisë”, tregon tutje prokurori derisa sqaron se pasuria që është e trashëguar para periudhës 10-vjeçare nuk do të hyjë në ligjin e kompetencave të zgjeruara.

Njëri nga të dyshuarit pretendohet se ka dy xhirollogari me mjete financiare ndërsa tjetri i dyshuar dyshohet për pasuri të paluajtshme në masë të madhe.

“Të njëjtit në bazë të të dhënave që kemi siguruar as ata, as familjarë e tyre nuk janë të punësuar askund, të hyrat e tyre janë kryesisht prej pensioneve të ulëta por pasuria është shumë e madhe që nuk përkon me pasurinë që kanë”, shton tutje ai ndërsa tregon edhe se në telefonat e të dyshuarve pas ekzaminimit janë siguruar edhe prova të tjera për grupin e akuzuar.

Në Prokurorinë e Pejës, hetimi financiar është i pari që po zhvillohet ndërsa prokurori e konsideron të rëndësishme këtë çështje.

“Unë konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishëm sepse nuk janë të rralla që personat janë pasuruar mjaft shumë ndërsa të hyrat i kanë tejet të vogla dhe kjo ka ndikuar edhe në opinionin publik që në një farë forme edhe të zbehet imazhi i gjyqësorit dhe prokurorisë që nuk është duke u punuar”, shton ai.

Në aktakuzën e cila është ngritur më 10 maj të këtij viti, prokurori Qavolli ka propozuar edhe disa dëshmitarë.

“Dëshmitarë kemi shumë, kemi marrë shumë dëshmitare edhe gjatë fazës së hetimeve por në aktakuzë kemi propozuar 6 apo 7 dëshmitarë që do të jenë pjesë të gjykimit”, tregon ai.

Prokuroria e Pejës tashmë ka bërë edhe sekuestrimin e disa pronave e parave të gatshme të cilat ishin duke u mbajtur në dy xhirollogari të njërit nga të akuzuarit.

Dosja flet për konfiskimin e një veture, një telefoni dhe para në vlerë të 20 mijë eurove në xhirollogarinë e të akuzuarit të parë H.T.

Për veprën penale për të cilën akuzohet A.Ç., atë të ndihmës në kryerje të veprës penale te fajdesë, Prokuroria nga i njëjti ka konfiskuar dy telefona të cilët dyshohet se kanë qenë mjete që janë përdorur për të mundësuar kryerjen e veprës penale.

Te A.V., Prokuroria në dosje ka përmendur se ka konfiskuar një veturë, një telefon, dokumente e letra me shifra të ndryshme.

Përveç marrjes së fajdesë e kërkimin e kthimit të parave dhe borxhit në formë të kamatës, viktima kishte rrëfyer edhe se ishte kërcënuar nga i akuzuari i parë H.T., se do ta privonte nga jeta.

Dosja flet se kur viktima fillon të ketë vonesa në pagesën e kamatës dhe kishte kërkuar që t’i ndalej fajdeja, i kishte dërguar dy persona që të bisedonin me të akuzuarin H.T., ky i fundit i cili më pas kishte kërkuar që të takohej me viktimën.

I akuzuari i kishte thënë të dëmtuarit se “nuk mundem me ta ndalë fajdenë, nëse më luan prej pikave t’i qes trutë në tavolinë”.

Këto fjalë kishin shkaktuar frikë dhe panik tek i dëmtuari, kështu thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Në ditën kritike kur ishte bërë edhe arrestimi i të dyshuarve, e kur po bëhej simulimi i veprës penale pra më 15 shtator, të dyshuarit dhe viktima ishin takuar ndërsa i akuzuari A. Ç., i ishte drejtuar viktimës me fjalët: “mos i jep premtime njërit llanga, llanga se rrehesh, po të kallxoj rrehesh prej meje, qysh jam bërë nervoz, n’gepek të shti”.

Pra me këto veprime Prokuroria ka përmendur faktin në aktakuzë se i pandehuri H.T., përveç veprës penale të fajdesë, dyshohet se ka kryer edhe veprën penale të kanosjes.

Edhe A.Ç., sipas Prokurorisë akuzohet se ka kryer veprën penale të ndihmës në kryerje të veprës penale të fajdesë si dhe kanosje.