
Greva në aeroportet e Gjermanisë, në Aeroportin "Adem Jashari" anulohen katër fluturime
Me grevë 24-orëshe këtë të hënë, më 10.03.2025, janë përballur 13 aeroporte në Gjermani, përfshirë qendra të mëdha si Mynihu dhe Frankfurti.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës ka njoftuar se për shkak të grevës së përgjithshme të punonjësve të operimeve në aeroportet e Gjermanisë, gjatë ditës (10.03.2025), pritet të anulohen fluturimet në këto aeroporte.
Ministria ka bërë të ditur se Policia Kufitare në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” ka njoftuar se kjo situatë prek edhe linjat direkte ndërmjet Gjermanisë dhe Republikës së Kosovës.
Zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” konfirmoi për KALLXO.com se janë anuluar katër fluturime të cilat nga Prishtina kishin destinacion Gjermaninë.
“Janë anuluar katër fluturime si pasoj e grevës në disa aeroporte. Nuk ka pasur tollovi sepse udhëtarët janë njoftuar sepse anulimet kanë qenë të planifikuara. Nuk presim anulime të tjera sepse greva është 24 orëshe” – tha Gara.
Fluturimet e anuluara gjatë të hënës planifikoheshin për Berlin, Mynih, Shtutgart dhe Dyseldorf.
Në 13 aeroporte të Gjermanisë po vazhdon greva njëditore e punëtorëve, përfshirë të Mynihut dhe Frankfurtit, si dhe destinacionet e tjera të mëdha në vend, e cila ka shkaktuar anulimin e shumicës së fluturimeve të hënën e 10 marsit.
Më shumë se gjysmë milion udhëtarë mund të përballen sot me shtyrje të fluturimeve në mbarë vendin, derisa raportohet se 3,400 fluturime mund të anulohen, ka bërë të ditur Shoqata e Aeroporteve Gjermane (ADV).
Pasagjerëve u është kërkuar që të mos udhëtojnë fare drejt aeroporteve dhe po këshillohen që t’i kontaktojnë kompanitë e tyre ajrore të biletave për informacione, ose për fluturim nëpërmjet aeroporteve të tjera.
Greva 24-orëshe, që ka nisur në mesnatë, përfshin punëtorët e sektorit publik në aeroporte, si dhe personelin dhe sigurimin fizik që punon në terminale. Greva është pjesë e përplasjes së vazhdueshme lidhur me pagat dhe kushtet e punës.