Gjysma e ukrainasve druajnë se përpjekjet e Trumpit mund të sjellin paqe të padrejtë

Më shumë se gjysma e ukrainasve janë kritikë kur pyeten për përpjekjet për paqe nga ana e presidentit amerikan Donald Trump, duke shprehur drojën se ato mund të çojnë në fund krejtësisht ose pjesërisht të padrejtë të luftës së Rusisë në vendin e tyre – kanë treguar të dhënat e një sondazhi të publikuar të martën e 1 prillit 2025 – raporton Reuters.

Trump ka premtuar se do të sjellë përfundim të shpejtë të luftës trevjeçare, por ai vazhdimisht ka përsëritur qëndrimet e Kremlinit për konfliktin dhe në një pikë ka fajësuar Kievin për nisjen e luftës. Ai suspendoi përkohësisht edhe ndihmën ushtarake dhe ndarjen e informacioneve të Inteligjencës me Ukrainën.

Instituti Ndërkombëtar i Kievit për Sociologji (KIIS) ka bërë të ditur se rezultatet janë bazuar në një sondazh të kryer me 1,326 persona, në territorin e mbajtur nga Ukraina ndërmjet 12 dhe 22 marsit.

Thuhet se 32% e të anketuarve prisnin më fort “një paqe të padrejtë, megjithëse me përmbushjen e disa kërkesave të Ukrainës”, përderisa 22% presin “paqe krejtësisht të padrejtë”.

Vetëm 3% kanë thënë se besojnë se Trump mund të sjellë paqe të drejtë, me 15% që presin më fort “thjesht paqe, megjithëse me disa lëshime bërë Rusisë” – ka shtuar KIIS-i.

Të dhënat sugjerojnë se ukrainasit janë më pak optimistë për përpjekjet e Trumpit prej ardhjes së tij në pushtet më 20 janar.

Në dhjetor 20% kishin thënë se prisnin më fort “paqe të padrejtë”, me 11% që thoshin se prisnin paqe krejtësisht të padrejtë.

“Edhe para vitit 2025 kishte njëfarë zhgënjimi me veprimet e SHBA-së në Ukrainë dhe Administrata e Trumpit është duke çimentuar vendosmërisht mosaprovimin amerikan.” – ka thënë drejtori ekzekutiv i KIIS-it, Anton Hrushetskvi.

Ndaras, 67 % e ukrainasve vesojnë se SHBA-së i ka ardhur në majë të hundës Ukraina dhe se po mundohet të pranojë koncesionet – thuhet në deklaratën e KIIS-it.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com