Gjykimi ndaj Pjetër Shalës - Dëshmitari tregon se babai i kishte punuar 35 vite polic

Ka vazhduar gjykimi në Dhomat e Specializuara në Hagë, në rastin ndaj Pjetër Shalës. Dëshmitari i shtatë, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur ka filluar dhënien e dëshmisë.

Ai ka rrëfyer se babai i tij kishte punuar 35 vite si polic në kohën e ish-Jugosllavisë.

“Si polic u kon i ish-Jugosllavisë në atë kohë… si oficer policie. Ka punu që nga mosha 23-24 vjeçar”- deklaroi dëshmitari.

Dëshmitari më tej ka përshkruar se disa persona të armatosur dhe me uniformë kanë shkuar në shtëpinë e tyre.

“Po, këta që ishin tek oborri shtëpisë kanë pas armë, njëri ndër ta, Naseri ka pas një si snajper. Ata tjerët që ishin te gardhi atje, të gjithë kanë qenë të pozicionuar drejt shtëpisë tonë me automatik e kallashnikov dhe çka kanë pas. Ashtu s’kam mujt m`i ditë kush jonë me uniformë, pa uniformë me kapela me maska po se kemi njoft asnjë, përpos një që e kanë njohur ka qenë Hamëz Brahimaj që u kon në oborr”- tha ai.

Dëshmitari ka treguar se si vëllait të tij ia kanë marr armën.

“Armën ja kanë marr vëllait, i lypshin dhe armë tjera, ja kanë kërkuar babës zyrtarisht. Një armë të vogël iu kemi lut motrat që vëlli ta jep. Vëllai vogël ja ka dhanë atë armë dhe kanë thënë nesër në ora 10:00 me ardhë të gjithë në Jabllanicë. Njëri prej tyre i ka thënë nesër në 10:00 me ardhë atje.  Ne se kemi prit të nesërmen, por atë natë jemi larguar në Gjakovë”- ka rrëfyer dëshmitari i Prokurorisë.

Gjatë dëshmisë para trupit gjykues, ky dëshmitar pohoi se e kanë njohur njërin person që kishte qenë në shtëpi.

“Atë ditë e kem njohur vetëm njonin, Hamëz Ibrahimaj por Naser Ibrahimajn se kem njoft, pastaj e kemi marr emrin, baba e ka ditë se kush u konë atë ditë aty mas një kohe të gjatë”- tha dëshmitari.

Ai përshkroi torturat që sipas tij i ishin bërë babait pasi ishte kidnapuar.

“Pasi u kthye babai na ka treguar se e kanë kidnapuar në Shqipëri, se e kanë çuar në një fabrikë të metalit në Kukës. E kanë torturuar e rrahur dhe personat do i njeh e do jo. Atë ditë e ka zbulu se në sulmin e shtëpisë ka qenë edhe Pjetër Shala. Por ka emra të tjera që e dinë për maltretimin e rrahjet që ja kanë bo në Kukës”- sqaroi dëshmitari.

Dëshmitari i mbrojtur më pas tregoi për rrethanën e vitit 1998 dhe praninë e Pjetër Shalës në Kukës.

“Atë ditë në Kukës kur e kanë rrahur dhe kanë biseduar aty në burg kur u konë, i kanë thënë pse në 98, e kem pas na një kafe të vogël kem punu atë kafe, se kafen që ta kanë gjujtë jom konë unë. Pse e ke lyp tjetër kënd dhe pse nuk dole ti kur erdha te shtëpia?”.

Prokurorja kërkoi të saronte se për çfarë ishte fjala kur i tha pse nuk dole nga shtëpia.

“Kur janë konë Hamëz e Naser Ibrahimaj në atë kohë kur na kanë sulmu te shtëpia,  në vitin 98, në fshatin ku kemi jetu”- sqaroi dëshmitari.

Prokuroria e pyeti dëshmitarin nëse e kishin parë edhe njerëzit e tjerë këtë që ka ndodhë. Por dëshmitari nuk kishte dijeni.

“Nuk e di, mund të ketë qenë kojshia por nuk e di kush”- deklaroi ai.

Sipas dëshmitarit, personat që kanë shkuar tek shtëpia tyre kanë bartur uniformë dhe emblemë të UÇK-së.

“Ata dy personat, Hamëz Ibrahimaj dhe Naser Ibrahimaj jonë konë me uniformë dhe me emblemë UÇK. Ata që kanë qenë te gardhi disa ishin me uniforma por emblemën se kanë pas, kështu diçka se ishin diku 25-30 metra larg. Po gardhi që i thojmë na, ajo u konë në objekt tonë, është pasuri e jona. Ata janë bërë rresht aty, armët i kanë drejtu kah ne, kanë ardhë në oborr dhe kanë bisedu me ne. Ne jemi konë në oborr të sulmun, të gjithë kanë ardhë të shpija jonë i kanë pa edhe na vetshin këta jonë konë hazër për sulmin. Neve këta dy që jonë konë në oborr me këta ka bisedu nona, vëllau që i kanë thënë nesër vini në Jabllnicë”- shpjegoi dëshmitari.

Pjetër Shala i njohur me nofkën Komandant “Ujku” po  akuzohet për krime lufte.

Krimet për të cilat ngarkohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së.

Artikujt e tjerë lidhur me procesin gjyqësor kundër Pjetër Shalës mund t’i lexoni në këtë LINK.