Gjykata merr një vendim ndaj të arrestuarit të katërt lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt

T. D., i arrestuar nën dyshimet se ka kryer vepër penale në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata e Prishtinës.

T. D. po dyshohet se ka kryer veprën penale ‘importi, eksporti, furnizimi, transportimit, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve’.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka mbajtur seancën dëgjimore, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale kundër të pandehurit T. D. për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale Importi, eksporti, furnizimi, transportimit, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse nga neni 364 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjykata ka vlerësuar se po të lihet në liri, i dyshuari T. D. Mund të ndikojë në dëshmitarë, tek të dëmtuarit.

“Gjyqtarja e Procedurës Paraprake vlerësoi se ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri T.D ka kryer veprën penale, andaj nëse i njëjti gjendet në liri, mund të ndikoj në të dëmtuar dhe në dëshmitarë, si dhe ekziston edhe rreziku i përsëritjes së veprës penale, e të gjitha së bashku kanë plotësuar bazën ligjore për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në njoftim.

Tutje gjykata ka bërë të ditur se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri T. D. më datë 29.11.2023 rreth orës 14:00 në vendin e tij të punës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë apo materie plasëse, ia ka shitur armën të dyshuarve Naim Murseli dhe Granit Plava, për të cilën dyshohet se është përdorur në kryerjen e veprës penale Vrasje e Rëndë e të dëmtuarës – tani të ndjerës Liridona Murseli Ademaj.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

KALLXO.com raportoi se i dyshuari T. D. i lindur më 1974 është personi i katërt i arrestuar lidhur rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, në mesin e të arrestuarve është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Arrestohet edhe një i dyshuar për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt