Gjobë 600 euro në rastin e aksidentit ku ishte përfshirë një veturë zyrtare e IKSHPK-së

Në Gjykatën e Istogut, të mërkurën është mbajtur shqyrtimi fillestar në të cilin është gjykuar dhe dënuar Dibran Hasani për një aksident trafiku që kishte ndodhur më 20 maj të vitit të kaluar.

Në këtë aksident, me lëndime të rënda trupore kishte mbetur zyrtari shëndetësor i IKPSHK-së Ilir Nushi, i cili në këtë seancë pati cilësinë e të dëmtuarit, me avokat Dukagjin Kërveshi.

Për këtë, i akuzuari mori dënim me gjobë në shumë 600 euro, sipas avokatit Dukagjin Kërveshi.

Sipas dosjes së gjykatës së siguruar nga Kallxo.com, në këtë seancë i akuzuari Hasani u shpreh i penduar për veprën penale të kryer dhe pranoi fajësinë për akuzat që rëndonin nga prokuroria.

Me këtë pranim të fajësinë u pajtua prokuroria, duke thënë se pranimi i tillë u bë në mënyrë vullnetare, në konsultim të nevojshëm me avokatin e tij, dhe ishte në mbështjetje me provat e lëndës.

Kurse, përfaqësuesi i të akuzuarit, avokati Faik Halili, sipas dosjes së gjykatës ka kërkuar nga e njejta që dënimi ndaj klientit të tij të kthehej në gjobë, nëse dënohet me 6 muaj burgim.

Rethanë lehtësuese avokati Halili kërkoi të merret parasysh pranimi i fajësisë në mënyrë vullnetare, interesimi dhe kujdesi ndaj të dëmtuarit, dhe hera e parë qe klienti i tij binte ndesh me ligjin.

I akuzuari kishte qëndruar nën masën e paraqitjes në stacion policor deri në qershor të vitit 2022, një muaj pas aksidentit.

Lidhur me këtë rast, sipas dosjes së prokurorisë ka pasur edhe ekspertizë komunikacioni, ku është konstatuar se aksidenti kishte ardhur si pasojë e moskujdesit të të akuzuarit Dibran Hasani.

Aktakuza e ngritur në korrik të vitit të kaluar përfaqësohet nga prokurori Arben Hoti, kurse në seancë sipas dosjes ishte prokurori Muharrem Bajraktari.

Pala e dëmtuar në këtë rast, sipas dosjes së gjykatës do të bëjë kërkesë-pasurore juridike në kontest civil.

Vendimi në formë të shkruar pritet të merret nga gjyqtari i kësaj gjykate, Petrit Nrecaj.

Gjykata e në përgjigjet dhënë për KALLXO.com ka thënë se i pandehuri D. H., ka qenë i akuzuar për vepër penale rrezikimi i trafikut publik dhe se më datë 25.10.2023 është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar, në të cilën seancë i pandehuri e ka pranuar fajësinë.

“Të njëjtën ditë gjykata e ka shpallur aktgjykimin dhe të pandehurin e ka shpallur fajtor dhe i ka shqiptuar: dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve, i cili dënim me pëlqimin e te pandehurit, është konvertuar ne dënim me gjobë në shumë prej 600 euro, gjithashtu te njëjtit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues ndalimi i drejtimit te automjetit për kategorinë B1 dhe B, në kohëzgjatje prej 1 viti, nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Është obliguar i pandehuri t`i paguaj shpenzimet e procedurës penale. Pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil për realizimin e dëmit”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Pejës.

(Shënim: Teksti është edituar – I është bshkangjitur përgjigja e Gjykatës – Koha e editimit: 10:15 – 26.10.2023)