Gjermania ka emëruar komisionerin e parë për çështjet LGBT+

Sven Lehmann nga të Gjelbërit gjermanë u emërua nga qeveria e re të mërkurën për ta ndihmuar Gjermaninë “të bëhet një vend pionier në luftën kundër diskriminimit”.

Deputeti 42-vjeçar do të jetë përgjegjës për përgatitjen e një “plani kombëtar veprimi” për ta promovuar pranimin dhe mbrojtjen e diversitetit, sipas Ministrisë Federale për Çështjet Familjare, raporon Euronews.

Lehmann do ta marrë postin si pjesë e qeverisë së re të koalicionit të udhëhequr nga kancelari socialdemokrat Olaf Scholz.

Deputeti nga radhët e partisë së Gjelbër ka qenë tashmë një zëdhënës i partisë për çështjet LGBT+ në Bundestagun e Gjermanisë midis viteve 2018 dhe 2021. Zona e tij elektorale e Këlnit është gjithashtu shtëpia e një prej komuniteteve më të mëdha LGBT+ në Gjermani.

“Mbrojtja e njerëzve për shkak të identitetit të tyre seksual dhe gjinor duhet të garantohet me Ligjin Themelor”, deklaroi Lehmann pas emërimit të tij.

“Të gjithë duhet të jenë në gjendje të jetojnë të lirë, të sigurt dhe me të drejta të barabarta”, shtoi tutje ai.

Pozicioni i ri i delegatit ministror u mirëprit nga një numër grupesh LGBT+ në Gjermani, duke përfshirë Shoqatën e Lezbikeve dhe Homoseksualëve (LSVD).

Dy gra transgjinore – Tessa Ganserer dhe Nyke Slawik – u zgjodhën si deputete në parlamentin më të larmishëm të Gjermanisë pas zgjedhjeve të shtatorit të kaluar.