Foto: Ilustrim

Gjenden 10 ditarë të shkollës të vjedhur në Fushë Kosovë, tre të arrestuar

Janë arrestuar sot tre persona lidhur me vjedhjen e ditarëve të shkollës “Hoxhë Kadri Prishtina” në Bresje të Fushë Kosovës.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti është denoncuar në polici më datë 22 mars 2021 nga ana e zyrtarëve të shkollës ku sipas tyre ishin vjedhur dhjetë ditarë.

Policia menjëherë pas denoncimit kishte nisur një hetim për ndriçimin e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e të dyshuarve.

“Progresi i hetimit të rastit ka rezultuar sot me identifikimin dhe arrestimin e tre të dyshuarve për të cilët dyshohet me bazë të jenë të implikuar në rastin në fjalë si dhe lokalizimin e vendndodhjes dhe gjetjen e ditarëve të vjedhur”, thuhet në komunikatën e PK-së.

Më tej bëhet e ditur se ndërkohë, që janë kryer veprimet hetimore të kësaj faze si dhe ato operativo-policore në përputhje me rekomandimin e prokurorit të shtetit të dyshuarit janë proceduar më tej.