Ilustrim

Gjashtë të vdekur pas përplasjes së një kamioni në një fshat holandez

Policia holandeze thotë se gjashtë persona u vranë dhe shtatë të tjerë u plagosën pasi një kamion doli nga rruga dhe u përplas me njerëzit që po argëtoheshin në një aheng në lagjen e  tyre.

Aksidenti ndodhi rreth orës 6 pasdite të shtunën kur kamioni i regjistruar në Spanjë doli nga rruga në fshatin Nieuw – Beijerland, 30 km në jug të Roterdamit.

Viktimat ishin tri gra të moshës 28, 32 dhe 75 vjeç dhe tre burra të moshës 41, 50 dhe 62 vjeç, të gjithë nga zona lokale, tha policia.

Një nga të plagosurit ndodhet në gjendje kritike në spital. Policia konfirmoi fillimisht të paktën dy të vdekur pasi automjeti hyri në një aheng të këtij komuniteti të mbushur me njerëz, për të cilin raportet holandeze të lajmeve thanë se po pritej nga një klub patinazhi në akull.

“Tani kemi gjashtë persona të vrarë dhe shtatë të plagosur, një i rëndë pas aksidentit të djeshëm” – ka deklaruar zëdhënësja e policisë Mirjam Boers. “Ne jemi ende duke hetuar se çfarë ka ndodhur saktësisht.”

Fotografitë nga vendi i ngjarjes identifikuan se kamioni i përket kompanisë El Mosca me bazë në Spanjë.

Boers konfirmoi se shoferi 46-vjeçar nga Spanja ishte arrestuar “dhe nuk ishte nën ndikimin e alkoolit” në momentin e aksidentit.

“Ai është arrestuar për shkak të aksidentit me vdekje dhe lëndimit të rëndë trupor. Roli i tij në këtë ngjarje është nën hetim. Për momentin po i mbajmë të hapur të gjithë skenarët për faktet” – thuhet në njoftimin e policisë./Al Jazeera