Gjakovë, organizohet minimaratonë për ndërtimin e lojërave për fëmijët me nevoja të veçanta

Komuna e Gjakovës në bashkëpunim me organizatën joqeveritare ‘Education Comes First’ kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për organizimin e një minimaratone për fëmijë, që për qëllim ka ndërtimin e këndit të lojrave për fëmijët me nevoja të veçanta.

Sipas një njoftimi të Komunës së Gjakovës, minimaratona do të mbahet me 24 nëntor për fëmijë në dy kategori, 1.5 kilometra dhe 3 kilometra.

“Kjo maratonë na aktivizon të gjithëve për të sprehur vullnetin tonë të mirë për të ndërtuar këndin e lojrave për fëmijët me aftësi të kufizuar. Nga sot numrin tuaj do të mund ta siguroni pranë institucioneve shkollore apo në Pallatin e Kulturës”, thuhet në njoftim.

Çmimi për një numër është 5 euro, ndërsa mjetet e mbledhura do të shfrytëzohen për ndërtimin e këndit të lojrave.

Në këtë takim ku është nënshkruar marrëveshja ishin të pranishëm kryetari i komunës, Ardian Gjini dhe drejtoresha ekzekutive e ECF-së, Delvina Hajdari.