Ministrja e Punëve të Jahtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, Foto: Donika Gërvalla/Facebook

Gërvalla në Forumin e Dubrovnikut: Serbia s’po mund të distancohet nga e kaluara e saj

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në Forumin e Dubrovnikut, ka folur për presidentin Aleksandër Vuçiq si dhe Qeverinë e Serbisë.

Ajo tha se në qeverinë e këtij shteti ka ministra të Sllobodan Millosheviqit.

“Do të shihni aty ministra që janë sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar’, – ka thënë ajo.

Ndër tjerash ka përmendur edhe marrëdhëniet mes dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, ku tha se nëse do të ishte vetëm çështje dy paleshe, do të ishte lehtë për t’u zgjidhur.

“Por nuk është çështje dypalëshe. Është fakti që kjo udhëheqje politike serbe, nuk është distancuar nga e kaluara e saj. Ata lejuan rajonin tonë të ketë këtë të kaluar sa i përket marrëdhënieve tona të tanishme. Përderisa të gjithë ne provojmë të punojmë për të ardhmen, është e kaluara e Serbisë që nuk po na lejon të ecim përpara”, – tha Gërvalla.

Ajo ka përmendur edhe sulmin në Banjskë, duke thënë që për shkak të kësaj përbërje të qeverisë serbe, Millan Radojçiq nuk po dënohet për veprimet e tij.

“Më shumë do të doja të dëgjoja zotin O’Brien ose zotin Lajçak se si e komentojnë këtë. Sepse ne në Kosovë e kemi thënë shumë qartë se çfarë është sulmi i Bansjkës. Është pra një akt agresioni i hapur kundër Republikës së Kosovës. Partnerët tanë duhet të fillojnë të etiketojnë atë që ka ndodhur ashtu siç duhet të etiketohet”, – ka shtuar tutje Gërvalla.

Ndryshe Gërvalla me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grliç-Radman, ka udhëtuar për në Kroaci për të marrë pjesë në Forumin e Dubrovnikut, ku përfaqëson Kosovën.