Bajram Hasani e Gazmend Abrashi (PAN) në #DebatPernime. Foto: Atdhe Mulla.

Gazmend Abrashi i AAK-së përsërit premtimin për gazsjellësin

Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Gazmend Abrashi në ditën e parë të fillimit zyrtar të fushatës për zgjedhjet e 6 tetorit, ka dhënë një premtim.

Abrashi ka premtuar ndërtimin e një gazsjellësi në Kosovë.

“Do ta ndërtojmë Gazsjellësin në Kosovë, që të kemi energji të lirë dhe të pastër. Të lidhemi me Gazsjellësin TAP, që të rreshtohemi me Evropën për pavarësi energjetike. Bashkë për 100% KOSOVË”, ka shkruar ai në Facebook.

Por ky zotim i tij, nuk është bërë vetëm në këtë kohë, pasi për të njëjtën çështje, Abrashi ka dhënë premtim edhe në vitin 2017.

Ai në Facebook kishte shkruar se Kosova e ka trasenë për gazsjellës.

“Kosova ka trasenë e gazsjellësit të ndërtuar që në vitet e 70-ta…Plani ekonomik i AAK-së ka paraparë ri-funksionalizimin e kësaj traseje të gazsjellësit për me sjellë gasin në Kosovë , me qëllim të shfrytëzimit të gasit për nevojat e industrisë dhe amvisërisë si burim energjie më i leverdishëm”, kishte shkruar kandidati i AAK-së në 2017-n.

“Ka ardhë koha që Kosova t’i jep prioritet projekteve strategjike dhe makroekonomike”, thuhej ndër të tjerash në publikimin e tij.

AAK-ja për zgjedhjet nacionale garon me një listë të përbashkët me PSD-në.