Gazetares serbe i konfiskohet telefoni pasi fotografoi djalin e Vuçiqit

Raportuesja e KRIK thotë se telefoni i saj ishte rrëmbyer dhe policia nuk kishte ndërhyrë, pasi ajo fotografoi djalin e Presidentit serb Aleksandar Vuçiq me një shok i cili ka çështje të hapura me ligjin.

Një gazetare nga portali hulumtues serb KRIK, Bojana Pavloviq, tha se telefoni i saj ishte konfiskuar të mërkurën në mbrëmje nga një person i panjohur në prezencë të një zyrtari policor, pasi bëri disa foto të djalit 21 vjeçar të Presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Danilo, raporton Balkan Insight.

Telefoni i ishte kthyer vetëm pasi shoku i Danilos, Aleksandar Vidojeviq, që është fotografuar disa herë më të, i tha të panjohurit të vepronte ashtu.

Incidenti ndodhi rreth orës 10 pasdite, në qendër të Beogradit derisa Vuçiq ishte duke shikuar një ndeshje futbolli në një kafe me Vidojeviq, një anëtar i ‘Janjicari’, një grup famëkeq i tifozëve të klubit të futbollit Partizani.

Pasi gazetarja kishte pyetur se përse ia morën telefonin, njeriu që e kishte marrë ishte përgjigjiur se nuk ka pse t’i japë sqarime.

Vuçiq dhe Vidojeviq janë fotografuar shpesh në shoqëri të njëri-tjetrit, madje ka foto të dyve duke bërë tifozëri në Kampionatin botëror të futbollit në Rusi 2018 si dhe duke festuar ditën e Republikës Srpska vitin e kaluar.