Rrugë e pandriçuar në Siboc të Podujevës. Foto: Kallxo.com

Fshatrat e “errëta” të Podujevës presin vitin 2021 ta shohin dritën

Disa fshatra në Komunën e Podujevës kanë mungesë të ndriçimit publik. Fshatrat si Siboc, Gllamnik, Sekiraqë, Penuhë e të tjera përreth ende përballen me problemin e mungesës së dritave.

E kjo del të jetë mjaftë shqetësuese dhe problematike për banorët dhe kalimtarët e këtyre fshatrave.

Rinesë Abdullahu nga fshati Gllamnik, tregon për KALLXO.com se sa sfiduese është mungesa e dritave atje sidomos gjatë dimrit.

”Është mjaft problem që s’kemi drita. Për shkak se nëpër rrugë shpesh ka qen endacakë e sidomos në stinën e dimrit, po gjithashtu edhe për punëtorët që kthehen prej punës edhe për nxënësit që janë në mësim pasdite kish me qenë shumë ma e sigurt nëse do të kishte pas ndriçim të rrugëve”, tregon Abdullahu.

Ajo shpreson dhe i bën thirrje komunës që të bëjë një zgjidhje për lagjen e saj si dhe për tjerat përreth.

Situatë të ngjashme tregon edhe Ariana Rrahmani, nga fshati Siboc i kësaj komune.

”Rrugët nuk janë të ndriçuara dhe aspak të sigurta pasi që gjatë natës në rrugë kalon një numër i madh i qenve në grupe ku rrezikohen banorët e fshatit, sidomos ata/ato që kthehen prej pune apo shkolle pasdite”, thekson ajo.

Ndërkaq lidhur me këtë çështje nga zyra për informim e kësaj komune kanë thënë se ndriçimi i këtyre fshatrave është planifikuar për vitin e ardhshëm.

”Me buxhetin e planifikuar për vitin 2021, prej 420,000 euro, është planifikuar faza e parë e ndriçimit publik në shumë fshatra, pra edhe në fshatrat për të cilat keni pyetur ju”, ka deklaruar për KALLXO.com, shefi i Zyrës për Informim në Komunën e Podujevës, Nazmi Elezi.

Sipas tij, Komuna e Podujevës deri më tani kryesisht ka investuar në ndriçimin e rrugëve në qytet dhe rrugëve që shpiejnë në qytet.

”Është bërë ndriçimi publik edhe në fshatrat Kërpimeh, Orllan dhe segmenti i rrugës magjistrale nga qyteti deri te pika kufitare në Merdar. Me buxhetin e këtij viti prej 165,000 euro është planifikuar ndriçimi publik kryesisht fshatrat afër qytetit (Surkish, Letanc, Peran, Bajçinë, Dumnicë e Poshtme), që gjithsej janë 34.3km”, ka thënë Elezi.