Franca dhe Gjermania kërkojnë nga LDK ta rishqyrtojë mocionin për Qeverinë

Ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë në Kosovë, kanë kërkuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës që ta rishqyrtojë votimin e mocionit të mosbesimit për Qeverinë.

Këtë e ka bërë të ditur ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt përmes një postimi në Twitter, ku tha se kanë dërguar një letër në drejtim të zëvendëskryeministrit, Avdullah Hoti.

“Ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë i kanë dërguar një demarsh të përbashkët zv. kryeministrit Avdullah Hoti për t’ia përcjellë Isa Mustafës, për të ngritur shqetësimin e dy kryeqyteteve. Franca dhe Gjermania qëndrojnë në anën e popullit të Kosovës në krizë. Ftojmë LDK-në të rishqyrtojë votimin e mosbesimit dhe të mbajë qeverinë e besuar dhe të qëndrueshme për t’u përballur me sfida”, ka shkruar Heldt.

Gjatë ditë së sotme edhe Partia Social Demokrate në Gjermani ka paraqitur një kërkesë të tillë në drejtim të LDK-së.

Seancën për rrëzimin e Qeverisë Kurti e ka kërkuar partneri i koalicionit, LDK as 2 muaj pas arritjes së koalicionit.

Shkak për këtë mocion, sipas LDK-së, është bërë vendimi i Kurtit për të shkarkuar Agim Veliu nga posti i ministrit të Brendshëm dhe mos heqja e menjëhershme tarifës prej 100%.

Qeveria të premten ka vendosur ta heq tarifën prej 100% për lëndën e parë të mallrave që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Mocionin e LDK-së e kanë mbështetur zyrtarisht të gjitha partitë politike në vend.

Kosova është duke u përballur me virusin COVID-19, ku deri më tani janë infektuar 61 persona, ndërsa një ka vdekur.

Institucionet e Kosovës në vazhdimësi janë duke bërë thirrje për qytetarët dhe kanë marrë vendime që të mos dilet jashtë, të mbahet distanca dhe të vet-izolohen në shtëpi.