Social Demokratët gjermanë i bëjnë thirrje LDK-së të tërhiqet nga rrëzimi i Qeverisë

Grupi Parlamentar i Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë ka reaguar në lidhje më situatën politike në Kosovë.

Kjo parti është shprehur kundër mocionit të nisur nga LDK ndaj Qeverisë Kurti.

“Forcat politike në Kosovë po përpiqen të kapitalizojnë pandeminë Covid-19 dhe kërcënojnë se do të përmbysin qeverinë e kryeministrit Albin Kurti, i cili sapo ka marrë detyrën. Grupi parlamentar i SPD i dënon këto plane si lojëra të papërgjegjshme”, thuhet në reagimin e tyre.

SPD po ashtu ka thënë se në krizën aktuale, qeveria e kryeministrit Albin Kurti po vepron me kujdes, si dhe ka kritikuar presidentin, Hashim Thaci për mosbashkëpunim me të.

“Prandaj jemi shumë të shqetësuar për mënyrën sesi forcat brenda vendit po përpiqen të përdorin pandeminë për përfitime politike. Në vend që të flasë me qeverinë me një zë dhe të thërrasë për respektim të masave mbrojtëse, Presidenti Thaçi po bën thirrje që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, duke zgjeruar kështu kompetencat e tij”, ka thënë SPD përmes një komunikate.

SPD është parti e qendrës së majtë dhe aktualisht është në koalicion me CDU-në e Kancelares Angela Merkel. Pjesë e kësaj partie është ministri i jashtëm i Gjermanisë, Heiko Mass.

Tutje është thënë se vendimi i Albin Kurtit për shkarkimin eAgim Veliut si ministër është logjike, pasi që sipas tyre, ai ishte shprehur në favor të gjendjes emergjente, duke dalur jashtë linjës së Qeverisë së tij.

SPD me këtë rast i ka bërë thirrje LDK-së që ta tërheq mocionin e mosbesimit të Qeverisë Kurti.

“Grupi parlamentar i SPD i bën thirrje LDK-së që të tërheqë mocionin e mosbesimit të paraqitur. Populli i Republikës së Kosovës ka nevojë për stabilitet politik më shumë se kurrë.  Është një shenjë inkurajuese që kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, dhe deputetë të tjerë dhe ministra nga LDK e kanë kundërshtuar votimin e mocionit të mosbesimit”, thuhet më tej.

SPD-ja është njëra prej dy partive më të mëdha në Gjermani. Ajo është pjesë e koalicionit qeverisës, të kancelares gjermane, Angela Merkel.

Seancën për rrëzimin e Qeverisë Kurti e ka kërkuar partneri i koalicionit, LDK as 2 muaj pas arritjes së koalicionit.

Shkak për këtë mocion, sipas LDK-së, është bërë vendimi i Kurtit për të shkarkuar Agim Veliu nga posti i ministrit të Brendshëm dhe mos heqja e menjëhershme tarifës prej 100%.

Qeveria të premten ka vendosur ta heq tarifën prej 100% për lëndën e parë të mallrave që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Mocionin e LDK-së e kanë mbështetur zyrtarisht të gjitha partitë politike në vend.

Kosova është duke u përballur me virusin COVID-19, ku deri më tani janë infektuar 61 persona, ndërsa një ka vdekur.

Institucionet e Kosovës në vazhdimësi janë duke bërë thirrje për qytetarët dhe kanë marrë vendime që të mos dilet jashtë, të mbahet distanca dhe të vet-izolohen në shtëpi.