Fillon takimi mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës

Ka filluar takimi mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendose, Albin Kurtit dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa.

Takimi i sotëm po mbahet në një hotel të kryeqytetit.

Takimi mes liderëve të dy subjekteve politike është paralajmëruar një ditë më parë.

I pari i VV-së, njëherësh kandidat për kryeministër Albin Kurti, dje ka thënë se me Mustafën do të flasin për punën që kanë bërë grupet punuese gjatë negociatave për harmonizimin e plan programit qeverisës.

“Nesër do të takohem me profesorin Isa Mustafa, kryetarin e LDK, do të diskutojmë për të arriturat e deritanishme të dy grupeve punuese që kanë negociuar harmonizimin e programit tonë i cili është përfunduar mbi masën 80% dhe do të shikojmë ato që kanë ngelur pa u diskutuar, përfshirë këtu edhe programin”, ka thënë Kurti për media.

Lideri i VV-së ka shtuar se do të diskutojnë edhe për ndarjen e posteve.

“Ne do t’i diskutojmë me kryetarin e LDK-së këto çështje por fokusi ynë janë karriget e zbrazëta, të kryeministrit të ministrave, të kryeparlamentarit, zëvendëskryeministrave dhe është detyra më urgjente që kemi”, ka theksuar Kurti.

Ndqrkaq,  kryetari i LDK-së Isa Mustafa, në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë”, të enjten ka folur për bisedimet me VV-në lidhur me postin e Presidentit.

Ai nuk e ka përjashtuar veten si kandidat për këtë post mirëpo ka thënë se LDK do ta zgjedhë kandidatin, nëse posti i Presidentit i takon kësaj partie.

“Unë mendoj se të tjerët po flasin ma shumë për këtë çështje, ne nuk e kemi hapur këtë çështjen e Presidentit se kush duhet të jetë në LDK. Nuk kam shfaqur as unë interesimin deri më tani dhe për të është biseduar më tepër në rrethana krejt tjera jo të drejtpërdrejta. Do të presim për këtë çështje që kur të vjen koha e Presidentit, nëse i bjen LDK-së kjo pozitë vendos LDK-ja se kush do të jetë kandidati I LDK-së. Tani për tani nuk kam as unë adresim për këtë cështje e as LDK-ja”, tha Mustafa.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, rezultatet e së cilave ende nuk janë certifikuar, partia e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto dy parti tash disa javë janë në bisedime për harmonizim të programit.

Takimet ‘pezull’ të LDK dhe VV-së në nivel të liderëve