Kryetari i VV-së, Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së Isa Mustafa, më 13 gusht 2019, Foto: Albin Kurti Facebook

Kurti thotë se nesër do të takohet me Isa Mustafën

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nesër do të zhvillojë një takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Kurti ka thënë se nesër me Mustafën do të flasin për punën që kanë bërë grupet punuese gjatë negociatave për harmonizimin e plan programit qeverisës.

“Nesër do të takohem me profesorin Isa Mustafa, kryetarin e LDK, do të diskutojmë për të arriturat e deritanishme të dy grupeve punuese që kanë negociuar harmonizimin e programit tonë i cili është përfunduar mbi masën 80% dhe do të shikojmë ato që kanë ngelur pa u diskutuar, përfshirë këtu edhe programin”, ka thënë Kurti për media.

Lideri i VV-së ka shtuar se do të diskutojnë edhe për ndarjen e posteve.

“Ne do t’i diskutojmë me kryetarin e LDK-së këto çështje por fokusi ynë janë karriget e zbrazëta, të kryeministrit të ministrave, të kryeparlamentarit, zëvendëskryeministrave dhe është detyra më urgjente që kemi”, ka theksuar Kurti.

Ai gjithashtu ka thënë se nuk pret që nga ky takim të përfundojnë të gjitha vendimet, por sipas tij “sa më parë aq më mirë”.

Takimet e grupeve punuese të VV dhe LDK kishin filluar me 18 tetor dhe 7 nëntori ka qenë data e fundit që kur Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë takuar për të diskutuar për harmonizimin e planprogramit qeverisës.

Ata kanë diskutuar për ekonominë, arsimin dhe 40 tema të tjera, për të cilat janë deklaruar se  për 90 për qind të tyre janë pajtuar se çfarë reforma do të bëhen.

Kurse, takimi i parë LDK-VV pas zgjedhjeve ka ndodhur mes dy kandidatëve për kryeministër, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit, më së shumti vota mori Lëvizja Vetëvendosje me 26,15 për qind, pasuar nga LDK-ja me 24,45 për qind.

Ndërkohë, rinumërimi i më shumë se gjysmës së vendvotimeve ka shtyrë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve.