Festivali 'Mirëdita - Dobar dan', ekipit nga Kosova nuk i lejohet të shkojnë në Beograd

 

Policia e Serbisë ka ndaluar përreth një orë ekipin nga Kosova të festivalit “Mirëdita – Dobar dan”, 25 kilometra në hyrje të Beogradit, me arsyen se kanë urdhër që “mos të i lejojnë të vazhdojnë tutje”.

Pas rreth një ore zyrtarisht ekipi i përbërë nga gazetarë/kameramanë dhe stafi organizativ i festivalit janë kthyer mbrapshtë për në Kosovë.

Që nga hyrja në Serbi nga kufiri i Merdares ekipi ka qenë i shoqëruar nga policia serbe ndërsa ka pasur dhe kontrolle të detajuara gjatë kalimit të kufirit.

Në anën tjetër, Radio Evropa e Lirë ka raportuar se duke valëvitur flamuj serb, një grup i madh i djathtistëve janë mbledhur në afërsi të hyrjes në zonën ku mbahet festivali “Mirëdita – Dobar dan”, i cili nis sot në Beograd, duke parandaluar hyrjen në këtë hapësirë.

Sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë, ky grup protestuesish janë dëgjuar duke brohoritur “Kosova është zemra e Serbisë”, kanë kënduar këngë nacionaliste dhe kanë fyer qytetarët e Kosovës.

Në sheshin Dorqol, ku mbahet festivali dhe i cili është i mbyllur për trafik, janë parë një numër i vogël i policëve.

Gazetarja e Radios Evropa e Lirë nuk është lejuar të hyjë në hapësirën ku festivali pritet të nisë sonte nga protestuesit që po qëndrojnë në hyrje të kësaj zone.

REL-i ka dërguar pyetje në Ministrinë serbe për Punë të Brendshme lidhur me planet për situatën e sigurisë të mbajtjes së kësaj ngjarjeje, por nga ky institucion nuk janë përgjigjur.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, që janë organizatorë të festivalit, pritet që të dalin me një njoftim shumë shpejt.

“Mirëdita – Dobar dan” mbahet një herë në vit, në mënyrë alternative në Prishtinë dhe Beograd, me qëllim që ta afrojë skenën kulturore serbe me Kosovën dhe anasjelltas, për të prezantuar skenën bashkëkohore kulturore dhe artistike të Kosovës para publikut nga Serbia.

Që nga themelimi më 2014, ky organizim kulturor në Beograd është përcjellë me protesta nga organizatat dhe partitë e krahut të djathtë në përpjekje për të parandaluar mbajtjen e saj.

Daçiq bën thirrje për anulimin e festivalit “Mirëdita, dobar dan” në Beograd