Fajin për mosfunksionim të Kuvendit PDK e hedh mbi mazhorancën

Abelard Tahiri, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se përgjegjësia kryesore bie te mazhoranca.

Tahiri tha se që nga konstituimi i legjislaturës nuk kanë arritur funksionim të mirëfilltë.

“Jemi dëshmitar se s’kemi pas mbarëvajtje të duhur të agjendës parlamentare. Përgjegjësia kryesore bie mbi mazhorancën e cila është tregu jo efikase në shumë drejtime edhe në implementimin e agjendës legjislative edhe në degradimin e institucioneve tona të pavarura. Që nga konstituimi i kësaj legjislature, nuk kemi arrit të kemi një funksionim të mirëfilltë që t`u përgjigjemi nevojave të qytetarëve të Kosovës”, tha Tahiri.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së shtoi se rol të madh në funksionimin e republikës parlamentare e ka qeveria dhe sipas tij nuk kanë arritur as për së afërmi ta realizojnë agjendën.

“Qeveria nuk kanë arrit as për së afërmi ta realizojnë agjendën legjislative të cilën e kanë përcaktuar vet në fillim të mandatit”, theksoi ai.

Tahiri ka përmendur edhe ngecjet në agjenci të rëndësishme të cilat kanë mbetur pa kuorum, siç është Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik.

“Mosfunksionimi i këtij organi ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë qindra kompani dhe buxhetin e Kosovës sepse janë mbet pezull shumë projekte të rëndësishme që nuk kanë mujt m`u implementu”, ta ai duke shtuar se ky organ tash për tash nuk ka kuorum për të marr vendime.

Tahiri është pyetur se a është caktuar nënkryetari i ri i PDK-së, por Tahiri u shpreh se “sapo të përcaktohemi atë do tua bëjmë me dije edhe juve edhe qytetarëve. Kjo është çështje e dy tri ditëve”.

Ndryshe Kuvendi i Kosovës, po funksionon me një nënkryetar më pak pasi nënkryetari i PDK-së Bedri Hamza i ka fituar zgjedhjet për kryetar të Mitrovicës së Jugut dhe ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit të Kuvendit të Kosovës.