Enock Nyariki: Nga përvoja e kemi ditur se nevojiten shumë persona për luftim të lajmeve të rreme

Enock Nyariki, menaxher i Komunitetit të Rrjetit Verifikues të Fakteve (IFCN) dhe i Impact-it thotë se prej momentit që ka nisur pushtimi rus në Ukrainë e kuptuan që do u duhen shumë persona për verifikim të lajmeve.

“Unë jam në kontakt me të gjithë verifikuesit nga e gjithë bota, dhe aktualisht kemi rreth 121 anëtarë aktivë, të cilët operojnë në mbi 100 shtete. Kur Rusia pushtoi Ukrainën, para pak më shumë se një muaji, verifikuesit u takuan, sepse ne e dimë nga përvoja se ky lloj informacioni nuk mund të luftohet nga një apo dy veta”, ka thënë ai.

Nyariki në emisionin “Kallxo Përnime” thotë se nga përvoja e kanë ditur se situata me dezinformim do dilte nga kontrolli.

Për të luftuar këtë, ata krijuan një faqe publike ‘Ukraine Facts’ ku i kanë të radhitura të gjitha pretendimet dhe dezinformatat lidhur me raportimet për gjendjen në Ukrainë.

“Në Ukrainë kemi dy anëtarë, VoxUkraine dhe StopCheck dhe ne e kemi ditur nga përvoja jonë në luftën kundër Covid-it se dezinformimi do të dalë nga kontrolli, do të përhapet nëpër tërë botën. Prandaj, verifikuesit u bënë bashkë dhe krijuan #UkraineFacts, që është faqe publike me të gjitha informatat e rreme që kemi zbuluar në mbarë botën, dhe aty kemi një hartë interaktive, ku janë paraqitur mbi njëmijë pretendime për gjendjen në Ukrainë”, shtoi ai më tej.

Sipas tij, disa prej këtyre lajmeve përhapen edhe në gjuhë lokale dhe shpesh është vështirë të verifikohen.

“Disa nga ato pretendime përhapen në gjuhë lokale, dhe është vështirë për verifikuesin t’i zbulojë ato, p.sh. ti je këtu ndërsa në Ukrainë luftohet dhe është vështirë që të demaskosh informata të rreme nga distanca dhe nga një gjuhë që ti nuk e kupton”, shtoi ai.