Ekstradohet nga Kosova në Bosnje dhe Hercegovinë personi i dyshuar për vrasje të rëndë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se është ekstraduar sot nga Kosova në Bosnje dhe Hercegovinë personi i dyshuar për kryerjen e një vrasjeje të rëndë që kishte ndodhur fundvitin e shkuar në Sarajevë.

Haxhiu, përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se personi ishte arratisur nga Bosnje dhe Hercegovina për në Kosovë, ndërsa ishte arrestuar këtu falë bashkëpunimit në mes të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Bosnje dhe Hercegovinës.

“Ky rast përbën një sukses të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në mes të Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, pavarësisht rrethanave politike”, ka shkruar ajo.

Ky rast sipas Haxhiut, është tregues se nëpërmjet mekanizmave të fuqizuar të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet penale, individët e grupet kriminale nuk mund ta shohin Kosovën si vend për arratisje për t’i ikur drejtësisë, e as si vend për të zhvilluar aktivitetin e tyre kriminal.