Administrata Tatimore e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Dyshimet për përfshirje në korrupsion, drejtorit të ATK-së në Gjilan i shqiptohet masë disiplinore

Zyrtari i Lartë i Administratës Tatimore të Kosovës Alban Qerimi përkohësisht më nuk do të udhëheq me ATK-në Gjilan pasi me vendim të komisionit disiplinor i njëjti është transferuar në një pozitë tjetër.

Vendimi për transferimin e tij është marrë si masë disiplinore pas dyshimeve se ka qenë i përfshirë në një rast korruptiv për të cilin edhe ishte arrestuar gjatë muajit mars të këtij viti.

Bashkë më të ishte arrestuar edhe inspektori i ATK-së në Gjilan Bajrush Bunjaku.

Qerimi ishte liruar në procedurë të rregullt ndërsa ndaj Bunjakut ishin shqiptuar 30 ditë paraburgim.

Inspektori Bunjaku është pezulluar nga puna në ATK ndërsa drejtori Alban Qerimi është transferuar në një pozitë tjetër si masë ndëshkuese.

“Për inspektorin tatimor i cili mbahet nën arrest, komisioni disiplinor ka shqiptuar masën e parandalimit, pezullim i përkohshëm nga marrëdhënia e punës ne shërbimin civil, ndërsa ndaj drejtorit regjional të Gjilanit, i cili është intervistuar dhe liruar në procedurë të rregullt ka shqiptuar masën transfer= i përkohshëm në një lokacion tjetër”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj me drejtorin Alban Qerimi, mirëpo i njëjti nuk ishte i qasshëm deri në publikimin e këtij artikulli.

Në mars të këtij viti, drejtori Qerimi ishte arrestuar e më pas liruar në procedurë të rregullt pas intervistimit në polici.

Emri i tij figuron në kërkesën e prokurorisë për paraburgimin e inspektorit Bajrush Bunjaku, i cili po dyshohet për marrje të ryshfetit.

Sipas pretendimeve të prokurorisë së Gjilanit, inspektori Bajrush Bunjaku pas kontrollit i kishte thënë një biznesi në Gjilan se do të ndëshkohej deri në 30 mijë euro për shkak të parregullsive ndërsa për mos ta ndëshkuar i kishte kërkuar 5 mijë euro ryshfet.

Në dosjen të cilën e ka siguruar KALLXO.com thuhet se inspektori kishte marrë 2 mijë euro për t’ia rregulluar dhe mbyllur kësaj kompanie vitin fiskal me qëllim që kompania të mos dënohej.

Përpos Bunjakut në këtë rast kallëzimi penal nga Policia e Kosovës është paraqitur edhe kundër drejtorit Alban Qerimi.

Arrestohet drejtori i ATK-së në Gjilan