Pamje nga nisja e ndërtimit të fabrikës së ujit në Ferizaj, 2022

Ferizaj, fillon ndërtimi i fabrikës së ujit për disa fshatra

Banorët në Talinoc të Muhaxherëve në Ferizaj pritet të bëhen me fabrikë të ujit.

Komuna e Ferizajt e udhëhequr ka ndarë mbi 5.1 milionë euro për ndërtimin e kësaj fabrike, me këtë shumë përfshihet edhe ndërtimi i rezervuarit të ujit dhe gypit kryesor, thuhet në njoftimin e komunës.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm i pari i kësaj komune, Agim Aliu, i cili ndërtimin e kësaj fabrike e ka cilësuar si shumë të rëndësishëm për faktin se qytetit të Ferizajt po i shtohet edhe një fabrikë e ujit ku furnizimi me ujë do të jetë më i mirë.

Sipas kryetarit do të sigurohen afërsisht 80 litra ujë për sekondë.

“Jemi në një projekt shumë të rëndësishëm të Komunës së Ferizajt, me i rëndësishme se ka të bëjë me ujin dhe dihet që pavarësisht investimeve që kemi bërë për vite me radhë prape ndjehet mungesa e ujit, prape kemi kërkesa të qytetarëve në gjithë territorin e Komunës së Ferizajt për më shumë ujë.Padyshim ky është njëri ndër projektet më të rëndësishme për këtë arsye, sepse do të ndërtohet fabrika që sipas kontratës do të sigurojë afërsisht 80 litra ujë për sekondë”, ka thënë Aliu.

Tutje ai theksoi se do të furnizohen me ujë fshatrat Sojevë, Dardani dhe Zllatar, fshatra të cilat nuk kanë pasur as gypa të ujësjellësit.

“Do të furnizohen me ujë fshatrat madje që nuk kanë pasur as gypa të ujësjellësit, që bëhet fjalë për fshatrat Sojevë, Dardani dhe Zllatar. Kjo fabrikë e ujit do të stabilizojë gjendjen e furnizimit në pjesën urbane në këtë rast qytetit të Ferizajt, por edhe të fshatit Talinovc, të Fshatit të Vjetër dhe të fshatit Mirosalë”, ka theksuar ai.

Sipas njoftimit gjatë vitit të ardhëm edhe fshatrat Sojevë, Dardani dhe Zllatar do të furnizohen me ujë të pjeshëm.

“Në fazën e tenderimit është projekti i shtrirjes së gypave për fshatrat Sojeve, Dardani dhe Zllatar dhe do të punohet paralel me ndërtimin e fabrikës së ujit, ndërkaq gjatë vitit të ardhshëm edhe këto fshatra do të kenë furnizim të rregullt me ujë të pijshëm”, thuhet në fund të njoftimit.