Banorët e një lagjeje në Ferizaj mbesin pa ujë në kulm të të nxehtit (VIDEO)

Në ditët e nxehta kur uji është shumë i rëndësishëm, banorët e rrugës “Rugova” në Ferizaj janë duke u
ballafaquar me mungesë të tij.

Banorët e kësaj rruge ankohen se edhe përkundër që janë bërë punë të mira në Ferizaj, problemi me ujë
ende nuk është zgjidhur.

“Brenda 10 dite nuk ka fare ujë e kemi thirrë kompaninë ata kanë thënë se janë disa defekte këtu nëpër
rrugë të qytetit. Nuk ka zgjidhje, nuk e dimë”, tha ai.

Të njëjtin problem me ujë e ka edhe banori tjetër, Rexhep Bytyqi. Ai tregon se problemi me mungesën e
ujit nuk është vetëm në ditët e nxehta.

“Kam shku te ujësjellësi atje direkt tek personat përgjegjës që janë dhe më kanë thënë se ujë ka mjaft
por kapaciteti i fabrikës nuk ka mundësi se kërkesat tash janë të mëdha shkaku i thatësisë”, ka treguar
Bytyqi.

Mungesa e ujit ka detyruar Bytyqin të marrë rrugën për në fshatin Balaj, në mënyrë që ta furnizojë me
ujë të mjaftueshëm familjen e tij.

“Shkoj me bidona i mbushi me ujë për me pi, për me zi, se ujë të ujësjellësit nuk ka. Fshati Balaj nuk e di
sa kilometra i ka duhet me veturë me shku”, ka shtuar ai.

Nga Kompania Regjionale e Ujit “Bifurkacioni” në Ferizaj kanë treguar se jo vetëm në rrugën “Rugova” ka probleme me ujë të pijshëm. Si një ndër arsyet që problemi me ujë është rritur në Ferizaj konsiderohet edhe ndërtimi i banesave kolektive.

“Rrënohen katër shtëpi ndërtohen dy apartamente të mëdha me 400 banesa në të dhe rriten kapacitetet dhe fabrika e përpunimit të ujit në Pleshin është më kapacitetet maksimale që prodhon nuk ka mundësi për momentin dhe me këtë fluks të madh të qytetarëve që e kemi këtyre ditëve të kemi ujë më tepër. Ne për çdo ditë e lëshojmë në mënyrë të barabartë do të thotë nuk mund të lëshohet uji diku më tepër e diku më  pak”, sqaroi Nazif Asllani, ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv në KRU “Bifurkacioni” në Ferizaj.

Ai tregon se uji i prodhuar në fabrikën për përpunimin e ujit në Pleshi nuk është i mjaftueshëm.

“Jo, 200 litra për sekondë nuk janë as për së afërmi të mjaftueshëm për qytetin e Ferizajt sepse fabrika
për përpunimin e ujit në Pleshin e furnizon komunën e Ferizajt dhe gjashtë fshatrat tjerë, ndërsa fshatrat
e tjerë i kanë sistemet e tyre të ujit dhe është e pamundur me këtë sasi të ujit çfarë e kemi të ketë një
furnizim normal sidomos pjesa e ngritur e qytetit”, thekson Asllani.

Sipas Asllanit, zgjidhja e vetme për ujë të mjaftueshëm në komunën e Ferizajt është penda e Lepecit.

“Zgjidhja e vetme dhe zgjidhja ideale që është, të cilën e presin qytetarët e Ferizajt tash e një kohë të gjatë është penda e Lepecit i cili si projekt është i përfunduar por për shkak të kostos së madhe që ka me
siguri Qeveria e Kosovës merret me këtë problem”, tregon ai.