Dy javë s'ka seanca plenare, “zbehen” pritshmëritë për shpërndarje të Kuvendit

Kuvendi i Kosovës nuk do të mbajë seanca plenare gjatë kësaj jave dhe as gjatë javës së ardhshme.

Kjo, për shkak të disa ndërhyrjeve teknike që do të bëhen në sallën ku mbahen seancat parlamentare.

Siç është bërë e ditur pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, gjatë këtyre dy javëve brenda këtij institucioni do të punohet në teknikën e votimit dhe në mikofrona.

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se punimet planifikojnë të përfundohen para 12 qershorit pasiqë pritet të mbajnë një seancë për Ditën e Çlirimit të Kosovës.

Se një gjë e tillë do të pamundësonte shpërndarjen e mundshme të Kuvendit, Rrustemi tha se nëse opozita dhe mazhoranca pajtohen për një datë, atëherë janë të gatshëm për ta diskutuar.

“Partia Demokratike e Kosovës ka qenë në rrafshin e pritshmërive të saj politike. Nuk ka pasur asgjë konkrete dhe zyrtare dhe nuk ka pasur ndonjë kërkesë të themi zyrtare për t’u renditur në ndonjë seancë të caktuar shpërndarja e Kuvendit”- tha Rrustemi në lidhje me kërkesën e PDK-së për shpërndarjen e Kuvendit.

Shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se gjatë mbledhjes nuk pati vendime pasiqë janë marrë vetëm me çështje administrative.

“Prej se Kuvendi drejtohet nga mazhoranca nuk ka asnjë statistikë se si është votuar gjatë kësaj kohe, sepse krejt votimet janë bërë me dorë”- tha ai.

Tahiri deklaroi se më së miri do të ishte sikur të shpërndahej Kuvendi dhe në shtator të këtij viti të zgjidhej qeveria e re.

“Sa i përket shpërndarjes së Kuvendit kanë mbetur edhe 2 ditë të ‘dritares kushtetuese’ që vendit tonë t’i mundësohet që zgjedhjet të mbahen më 30 qershor ose 7 korrik. Këto dy ditë do t’i japin një epilog. Ne do të presim deri në momentin e fundit që vendi të shkojë më zgjedhje të jashtëzakonshme në mënyrë që vjeshta ose shtatori ta zë vendin tonë me një kryeministër të ri që e nxjerr Kosovën nga kriza”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se nëse nuk shkohet në zgjedhje të parakohshme, Kuvendi do të vazhdojë me punën.

E shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi nuk beson që punimet do të kryhen sipas planifikimit dhe si rezultat, me shumë gjasë do të ezaurohet puna deri  në vjeshtë.

“Kjo situatë e re nënkupton që Kuvendi i Kosovës potencialin e vet punues për këtë sezon pranveror e ka të ezauruar se pastaj hyjmë në përfundim të sezonës. Me 1 gusht përfundon sezoni”- tha ai.

Ndërkaq, se sa e pengon kjo shpërndarjen e Kuvendit, Gashi tha se zgjidhja e vetme është që të dorëhiqet kryeministri Albin Kurti.

“Zgjidhja dhe zgjedhja është dorëheqja e Kurtit”- tha Gashi.

“Zgjedhjet pritet të shpallen jo më larg se data 15 shtator, por konsultimet me partitë politike duhet të vazhdojnë. Data e rregullt e zgjedhjeve është ndërmjet 15 janarit dhe 15 shkurtit 2025 … Jemi në kohë zgjedhjesh … Nuk është çështje e afateve dhe ultimatumeve …” – shtoi ai.

Ndërsa, shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka shfrytëzuar takimin me krerët e PDK-së “për t’i negociuar kushtet e dorëzimit të tij”.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do t’i dërgojë një përgjigje me shkrim për ta konfirmuar se zgjedhjet do të ndodhin atëherë kur të shkarkohet kjo qeveri apo kur të dorëhiqet kjo qeveri e dëmshme. Kapitullimi i kësaj Qeverie duhet të ndodhë me dorëheqjen e saj. Po ua bëj një pyetje të thjeshtë qytetarëve: a jeni duke jetuar më mirë tani? Jeta e qytetarëve është vështirësuar”-  ka thënë Tahiri.

Më 24.05.2024, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, u ka dërguar letër krerëve të partive parlamentare: kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Përmes kësaj letre, ai ka ritheksuar qëndrimin e PDK-së për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme.

“Në takimet e fundit që i kam zhvilluar me secilin lider të këtyre partive parlamentare, kam shprehur qëndrimin se zgjedhjet sot janë një domosdoshmëri qytetare dhe jo një dëshirë politike, andaj tani është koha që të veprojmë të koordinuar dhe me hapa konkret”- ka shkruar  Krasniqi.

Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar datat 30 qershor ose 7 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe për shkak të afateve ligjore dhe kushtetuese.

Partitë opozitare ka kohë që kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por ende nuk po arrijnë të pajtohen për të thirrur një seancë parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Kryeministri Kurti, më 13.05.2024, ka zhvilluar një takim edhe me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi.

Në takimin tre orësh, nga Kurti dhe Krasniqi u konfirmua se temë e diskutimeve ishte edhe çështja e zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Kryetari i PDK-së tha se në takim i ka shprehur kryeministrit Kurti domosdoshmërinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ai theksoi se është i gatshëm të gjejë një dakordim me të gjitha partitë për një datë të re të zgjedhjeve dhe për të shpërndarë Kuvendin përmes një mocioni të përbashkët.

Ndërsa, Kurti tha se është i interesuar që ta diskutojë edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, se cila është koha më e përshtatshme për zgjedhjet. Kreu i ekzekutivit theksoi se i ka ftuar të gjitha partitë për të diskutuar rreth kësaj teme dhe se do të insistojë të takohet edhe me pjesën tjetër të opozitës, që atë ditë nuk i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së tij.

Deklaratat pas takimit Kurti-Krasniqi ngjallën reagimin e dy partive tjera opozitare, AAK dhe LDK.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se partia e tij do e mbështeste shpërndarjen e Kuvendit vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kurtit.

Edhe LDK, në një komunikatë për media u shpreh se është e gatshme për zgjedhje të parakohshme në Kosovë, por ata kërkojnë fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Kurti dhe pastaj shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë, seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën pritej të paraqitej rezoluta e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përmes të cilës do të kërkohej shkarkimi apo dorëheqja e qeverisë që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti, e paraparë për t’u mbajtur më 24.05.2024, është shtyrë për një datë tjetër.

Seanca që nuk zgjati as pesë minuta u shtye për shkak të pranisë së një numri të vogël deputetësh në sallë.

Kryetarja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila ka deklaruar se është e paimagjinueshme të pritet shpërndarja e Kuvendit të Kosovës, derisa për debatin për punën e Qeverisë kishte aq pak deputetë në sallë.