Foto: Bekim Ademi/ Facebook

Drejtori i Shëndetësisë në Ferizaj jep dorëheqje, akuzon Nismën për presion

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale i Komunës së Ferizajt, Bekim Ademi, i cili ka qenë nga anëtar i Nismës Socialdemokrate ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë si dhe nuk do të jetë më pjesë e asnjë partie politike.

Ademi është liruar nga detyra e drejtorit në komunë, pas dorëheqjes që i ka dorëzuar kryetarit të Ferizajt, Agim Aliut.

Lidhur me këtë temë, KALLXO.com ka kontaktuar vetë Ademin, i cili ka thënë se arsyeja është e postuar në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

Ai ka konfirmuar për KALLXO.com se ka qenë pjesë e Nismës, por që më nuk do të jetë në asnjë parti politike.

Ndërkaq, në letrën e dorëheqjes drejtuar kryetarit të komunës, Agim Aliu, Ademi ka shkruar se arsyeja e dorëheqjes vjen si rezultat i pakënaqësive me subjektin politik që i takonte.

Ai ka shkruar se ka pasur presion të vazhdueshëm nga Nisma dhe trysni që ai të jetë edhe kandidat për deputet nga kjo parti, në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Duke pasur parasysh presionin e vazhdueshëm të zyrtarëve brenda këtij subjekti, dhe së voni edhe trysninë që pa vullnetin tim të më kandidojë për deputeti në Parlamentin e Republikës së Kosovës në zgjedhjet që do mbahen në muajin shkurt të këtij viti dhe mos gatishmërisë sime për të qenë pjesë e kësaj liste zgjedhore  konsideroj se angazhimi im ishte i përqendruar në punën dhe menaxhimin e sistemit shëndetësor si dhe gjendjen me pandeminë Covid 19 në të cilën po kalon vendi”, ka shkruar ai.

Ademi ka shtuar se nuk ka pasur mirëkuptim nga partia e tij për këtë çështje dhe ka vendosur që të mos jetë pjesë e zgjedhjeve dhe as drejtor në komunë.

Ai ka shtuar se nuk do të jetë pjesë e asnjë subjekti tjetër politik.

Lidhur me akuzat e Ademit, KALLXO.com ka kontaktuar sekretarin e Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje prej tij.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Komunës së Ferizajt, Albion Sherifi ka thënë për KALLXO.com se nesër (e martë) pritet të bëhet emërimi i drejtorit të ri të Shëndetësisë, emri i të cilit sot nuk do të bëhet publik.

Foto: Bekim Ademi/Facebook