Foto: Andrew G. Haubner/ twitter

Domatet derdhen në një autostradë në ShBA, shkaktohen aksidente zinxhirore

Rreth orës 5 në mëngjesin e së hënës, më shumë se 150 mijë domate u shpërndanë në trafikun e ngarkuar të Interstate Vacaville në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raporton New York Times.

Sipas oficerit patrullues të autostradës, Jason Tyhurst, domatet u shpërndanë si shkak i një përplasje të një kamioni të madh transportues me një automjet tjetër, duke goditur edhe një veturë tjetër përpara se të shkonte në qendër.

“Domatet e madhësisë së grushtit mbuluan korsitë në drejtim të lindjes të ndërshtetërore në një distancë prej rreth 60 metra, duke krijuar një masë të kuqe që dukej se ishte rreth 60 centimetra e thellë “- tha oficeri Tyhurst.

Më pas, shoferët në autostradë,përgjatë errësirës së mëngjesit të hershëm, nuk arritën t’i detektojnë domatet dhe i kaluan me vetura, duke krijuar një përzierje të lëngshme me lëng domatesh të holluar me ujë, vaj dhe papastërti. Kushtet e rrugës u bënë jashtëzakonisht të lëmuara.

Sipas përshkrimit të oficerit Tyhurst, në momentin kur domatet kishin rënë në asfalt, rruga ishte bërë si akull.

Shtatë vetura ishin përfshirë në aksident, ku tre persona duke përfshirë edhe shoferin e kamionit transportues pësuan lëndime të lehta dhe një i lënduar i katërt u dërgua në spital, pasi kishte thyer këmbën.

Patrulla e autostradave të Kalifornisë mbylli pothuajse çdo korsi në të dy anët e Interstate 80, duke shkaktuar trafik dhe vonesa për udhëtarët në mëngjes.

Ekipet e mirëmbajtjes përdorën një “lopatë sikur bagera” për të pastruar rrugët dhe më pas hodhën pluhur absorbues në korsi.

Rreth orës 3 pasdite, autostrada u rihap plotësisht, njoftuan Patrulla e Autostradave të Kalifornisë.

Aksidenti ka ndodhur gjatë sezonit të domateve në ShBA, një kohë kur shoferët e kamionëve ngarkojnë domate dhe përdorin Interstate 80 për të transportuar frutat në Zonën e Gjirit dhe Sacramento.