AKP. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Me 320 mijë euro AKP-ja synon të sistemojë dhe arkivojë gjithë dokumentet e Ndërmarrjeve Shoqërore

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), ka njoftuar se është duke synuar që me 320 mijë euro, të sistemojë dhe arkivojë të gjitha dokumentet masive të Ndërmarrjeve Shoqërore që i ka në menaxhim.

Përmes një komunikate për media, AKP-ja ka bërë të ditur se për të kryer këtë projekt ka shmangur procedurat e prokurimit publik, pasi që sipas tyre, me ato procedura projekti do të kushtonte rreth 1 milion euro.

“Nëse ky projekt do të realizohej përmes tenderit publik dhe kompanive private që trajtojnë çështje të tilla, duke u bazuar edhe në rekomandimet dhe informatat qe kemi marrë nga Arkivi i Kosovës, por edhe kompani private, do t’i kushtonte AKP-së vlera të mëdha, respektivisht shumë që do sillej rreth 1 milion euro” – thuhet në komunikatën e AKP-së.

Sipas AKP-së, materialet e Ndërmarrjeve Shoqërore që do t’i nënshtrohen procesit të sistemit dhe arkivimit, janë të llojeve të ndryshme dhe madhësive të ndryshme që datojnë nga vitet e 50-ta.

“Nga analizat e këtyre arkivave, del se rreth 70% deri 80% mund të jetë material i panevojshëm, por që duhet menaxhuar dhe selektuar me kujdes nga zyrtarët kompetentë, çka do të ndihmonte që edhe hapësira fizike ku do të ruhet ky dokumentacion do të ishte shumë më e vogël, rrjedhimisht edhe me ulje të kostos në hapësirat e ruajtjes eventuale” – bëhet e ditur.

Siç ka bërë të ditur AKP-ja, pas sistemit dhe arkivimit, materiali i mbetur nuk do i nënshtrohet plakjës, nuk zë hapësira të mëdha, do të jetë lehtë për tu administruar e për tu kopjuar, si dhe para se të dixhitalizohet, sipas AKP-së, do të pastrohet dhe selektohet vetëm materiali që ka vlera të ruajtjes, ndërsa origjinali arkivohet në Arkivin Kompetent.