Ilustrim

Dialogu, sot nga ora 15:00 nisin takimet

Kryeministri kosovar, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq pritet të takohen sot në kryeqytetin evropian. Ky do të jetë takimi i dytë mes dy liderëve të dy shtetve, Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut.

KALLXO.com merr vesh se, Kurti fillimisht do të takohet me përfaqësuesin e Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell. Takimi mes kryeministrit kosovar dhe Borrel pritet të filloj në ora 15:00.

E, menjëherë pas këtij takimi, pritet që të zhvillohet edhe takimi mes kryeministrit të republikës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Alkesandar Vuçiq, nga ora 15:40.

KALLXO.com raportoi të premten se temë diskutimi në takim e sotëm do të jenë të zhdukurit me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Temë e këtij takimi do të jenë të zhdukurit me dhunë gjatë luftës së fundit. Ajo për neve mbetet temë me prioritet dhe urgjencë.  Presim që në këtë takim të diskutohen edhe katër propozimet e kryeministrit Kurti nga takimi i mëparshëm. Po ashtu do të diskutohet në lidhje me agjendën e ardhshme të kapitullit të ri të dialogut për çka do të shohim nëse do të arrihet një pajtueshmëri”, ka thënë të premten zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.

Ai ka shtuar se në atë takim do të shohin nëse pala serbe “ka reflektuar” për katër propozimet e Kurtit në takimin paraprak.

“Kryeministri Kurti tashmë i ka paraqitur katër propozimet e tij në takimin e 15 qershorit. Kanë kaluar një muaj, do të shohim nëse pala serbe ka reflektuar gjatë kësaj kohe dhe presim për këtë një përgjigje nga ata në këtë takim”, shtoi zëdhënësi i ekzekutivit.

Qeveria e Kosovës tregon se cila do të jetë tema e takimit Kurti-Vuçiq më 19 korrik

www.kallxo.com