
Dhjetëra të vrarë në “ditën më të përgjakshme” në Mianmar
Së paku 38 njerëz u vranë të mërkurën në Mianmar, në protestat kundër puçit ushtarak.
Kombet e Bashkuara thanë se kjo është “dita më e përgjakshme” që nga puçi i 1 shkurtit.
Ka pamje tronditëse që dalin nga ky vend, tha e dërguara e Kombeve të Bashkuara për Mianmarin, Christine Schraner Burgener.
Ajo tha se duket se forcat e sigurisë janë duke i qëlluar protestuesit me plumba të vërtetë.
Në Mianmar, vendin që njihet edhe si Birmani, protestat masive dhe aktet e mosbindjes civile kanë nisur prejse ushtria ka marrë pushtetin, një muaj më parë.
Junta ushtarake ka rrëzuar qeverinë e zgjedhur dhe ka vendosur nën arrest shtëpiak udhëheqësit e saj.
Sipas juntës, zgjedhjet e nëntorit janë manipuluar dhe të rejat do të mbahen pas një viti.
Protestuesit duan që t’i jepet fund sundimit ushtarak dhe të lirohen udhëheqësit e përmbysur.
Disa vende perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë vendosur ose kanë kërcënuar me sanksione ushtrinë e Mianmarit.
Schraner Burgener tha se së paku 50 njerëz janë vrarë dhe “shumë janë plagosur” që nga fillimi i sundimit ushtarak./REL