Ilustrim, Foto: Dukagjini.com

Detaje nga vrasja në Skenderaj, policia ruan familjen e dorasit të dyshuar

Të shtunën e 23 korrikut rreth orë 19:30 në fshatin Baks të Komunës së Skenderajt, ka mbetur i vdekur një person dhe dy të tjerë janë plagosur si pasojë e një përleshje me armë që kishte ndodhur në mes të qytetarëve të atij vendbanimi. Njëri ndër ta kishte ardhur nga kurbeti për pushim te familja e tij, e që përfundoi në një tragjedi.

Në vend që të presin vizitorë për ardhjen e të birit të tyre nga kurbeti, familja Musliu nga Baksi i Skenderajt të dielën kanë hapur të pamet.

I biri i tyre Besimi, 47 vjeçar ishte vrarë mbrëmë për arsye ende të panjohura.

Pak metra më larg se xhamia ku po mbahen të pamet, vetura e policisë është parkuar shumë afër oborrit të të dyshuarit.

Ndërsa, Policia e Kosovës, është duke ruajtur familjen e dorasit dhe çdo qytetar që i bie rruga që kolonë shtëpia e këtij të fundit është ndaluar për shkaqe të sigurisë.

Familjarët nuk kanë pranuar që të prononcohen për media, ndërsa këtë gjë e kanë bërë forcat e rendit.

“Nga informatat e para nga vendi i ngjarjes është kuptuar se në rast ishin përfshirë disa persona, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri tre persona ishin të plagosur. Dy persona ishin dërguar për tretman mjekësor në QKMF-Skenderaj, ku njëri prej tyre si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit  kishte humbur jetën dhe mjeku kujdestar ka konfirmuar vdekjen e tij ndërsa i plagosuri tjetër është transferuar për tretman mjekësor në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) në Prishtinë”, thuhet në përgjigjën Policisë së Kosovës për RTV Dukagjini.

Në vendin ku ndodhi krimi, pas urdhrit për bastisje janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri – një kallashnikov që dyshohet se u përdor në rast dhe një pushkë gjuetie.

“Njësia e hetimeve Rajonale ka kryer bastisje në dy lokacione dhe ka sekuestruar dy armë: një armë automatike AK-47 dhe një pushkë gjuetie. Njësia e Hetimeve Rajonale së bashku me prokurorin e shtetit janë në vendin e ngjarjes ku është duke u bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes dhe do të ndërmerren të gjitha veprimet  e nevojshme procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”, ka shtuar Policia e Kosovës.

Sipas Policisë, gjithashtu është arrestuar edhe një person tjetër dhe do të intervistohet në cilësinë e personit të dyshuar për përfshirjen në këtë rast./Dukagjini.com